Flash News

KRYESORE

Ambasadori shqiptar përgëzoi Kinën për Xinjiangun, Mogherini: Atje shkelen të drejtat e njeriut

Ambasadori shqiptar përgëzoi Kinën për Xinjiangun,

Në një fjalim të mbajtur në Parlamentin Evropian, Federica Mogherini tha se Kina ka bërë disa përparime në fushën e të drejtave ekonomike dhe sociale, por situata e përgjithshme e të drejtave të njeriut vazhdon të përkeqësohet, veçanërisht në të drejtat civile dhe politike.

“Mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe avokatët vazhdojnë të arrestohen dhe ndalohen. Liritë themelore vazhdojnë të shkelen”, deklaroi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme.

Duke iu referuar situatën në rajonin e Xinjiangut ku raportohet për shkelje masive të të drejtave të njeriut, Mogherini u shpreh: “Ne kemi parë të gjitha raportet mbi situatën në Xinjiang, me "kampet e ri-edukimit" politik, që shënjestrojnë ujgurët dhe pakicat e tjera, mbikëqyrjen masive, kufizimet në udhëtime. Siç thashë, ne i ngritëm këto çështje, duke përfshirë disa raste individuale, me autoritetet kineze, si në kontaktet tona dypalëshe dhe në Dialogun tonë për të Drejtat e Njeriut.”

(Arrestime dhe tortura ndaj myslimanëve, ambasadori shqiptar hyn aty ku ndalohet OKB dhe përgëzon Kinën: E kuptojmë punën tuaj)

Mogherini i bëri thirrje Kinës që të lejojë vëzhguesit e pavarur për të hyrë në rajonin e Xinjiangut, duke iu bashkuar thirrjes që u bë pak javë më parë Komisioneri i Lartë në OKB për të drejtat e njeriut.

Por ndërkohë që Bashkimi Evropian kërkon që në Xinjiang të hyjnë vëzhgues të pavarur, atje ishte në fund të muajit mars ambasadori shqiptar në Pekin, Selim Belortaja.

Ambasadori Belortaja mbajti një qëndrim tërësisht të ndryshëm duke përgëzuar Kinën në garantimin e lirisë së fesë për qytetarët në këtë rajon dhe theksoi se e kupton punën në luftën kundër terrorizmit dhe de-radikalizimit.

Pavarësisht se përfaqësuesi i Shqipërisë është pozicionuar në favor të Kinës dhe e përgëzon atë për “garantimin e lirisë së fesë”, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit flet për 800 mijë deri në 2 milionë myslimanë ujgurë që mbahen në burgje dhe kampet e riedukimit në Xinjiang.

Xinjiang është rajoni që shtrihet në perëndim të Kinës dhe ka një popullsi prej gati 22 milionë banorë. 58% e popullsisë i përket besimit mysliman dhe 1% identifikohen si të krishterë.

Të fundit