Flash News

KRYESORE

Ambasadori turk shpalos planin për zëvendësimin e shkollave ‘Turgut Ozal’, ‘Beder’ dhe ‘Epoka’ në Shqipëri

Ambasadori turk shpalos planin për zëvendësimin e shkollave

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar ka dhënë sot një konferencë për mediat, një ditë përpara përvjetorit të tentativës për grusht shteti në vendin e tij.

Bayraktar ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që të marrin sa më shpejtë masat për të tharë burimet financiare të Lëvizjes Gylen.

Ambasadori Bayraktar ka shpalosur planin e Ankarasë për të zëvendësuar shkollat që financohen nga Gylen në Shqipëri, me institucione që tashmë do të jenë nën kontrollin e ambasadës turke.

"Dëshirojmë që ajo qe ndodhi në Turqi të mos ndodhë në Shqipëri. Fondacioni Maarif është themeluar vitin e kaluar në Turqi. Ky fondacion është duke zhvilluar bisedime në Shqipëri me autoritetet dhe ka emëruar edhe një përgjegjës në Shqipëri. Ky Fondacion do të hedhë hapa konkrete dhe të forta për të bërë më shumë për arsimin në Shqipëri. Synimi jonë është dhënia e një arsimi cilësor dhe që nuk strehon terrorizëm. Objektivi ynë është hapja sa më parë e shkollave. Ne kemi bashkëpunim me autoritetet shqiptare për luftën kundër FETO-s dhe jemi të kënaqur për këtë. Bashkëpunimi i institucioneve vazhdon. Edhe ne jemi duke punuar që Shqipëria të mos kthehet në një port të FETO-s”, është shprehur Bayraktar.

Nga kjo lëvizje e Ankarasë rrezikohen disa shkolla të njohura në Shqipëri që zyrtarët e ambasadës dhe media shtetërore ‘Anadolu Agency’, pretendojnë se financohen nga Lëvizja Gylen. Bëhet fjalë për kolegjet ‘Turgut Ozal’, si dhe për dy universitetet ‘Epoka’ dhe ‘Beder’.

Të fundit