Flash News

KRYESORE

Ambasadori turk: Shqipëria është vendi i dytë ku Turqia bën investime të mëdha

Në një intervistë për “Living” nga rezidenca turke, ambasadori Murat Ahmet Yörük  dhe bashkeshortja e tij, zonja  Ajshegyl kanë rrëfyer mbi stilin e tyre të jetesës si dhe kanë folur  mbi përshtypjet që kanë për Shqipërine dhe shqiptarët.

 "Që kur kam ardhur këtu, kam vënë re se shqiptarët janë shumë qejflinj, u pëlqen shumë të argëtohen. Madje edhe kafenetë hapen që në pesë e gjysmë të mëngjesit", u shpreh  zonja Ajshegyl për 'Living'.

Ndërsa ambasadori turk Murat Ahmet Yörük u ndal te investimet turke në Shqipëri.

Investimi i firmave turke arrin në një vlerë rreth tre miliardë dollarë, pra, një vlerë kjo e konsiderueshme. Shqipëria është vendi i dytë ku Turqia bën investime të mëdha. Pra, komuniteti turk këtu përbëhet nga kompanitë, biznesmenët dhe familjet e tyre. Ky është komuniteti ynë në Shqipëri. Ndërsa ne në Turqi kemi në numër të konsiderueshëm të vëllezërve tanë shqiptar, një numër që mund të kalojë një milion banorë. Shqiptarët që jetojnë në Turqi janë shumë herë më shumë se turqit që jetojnë këtu”, u shpreh ambasadori.

Pjesë nga intervista e ambasadorit turk dhe bashkëshortes së tij për Living:

Murat Ahmet Yörük: Unë dhe gruaja ime jemi ballkanas. Halla ime e madhe ishte e martuar me një shqiptar. Pra, bashkëshorti i hallës sime ishte shqiptar. Kështu që kushërinjtë e mi janë gjysmë shqiptarë dhe gjysmë turq. Kur më pyesni se si ndihem këtu, unë them “si në shtëpinë e kushërinjve të mi”, sepse kështu është. Burri i hallës sime ka jetuar në Tiranë. Ka punuar në oborrin mbretëror në periudhën e mbretërisë dhe ka qenë përgjegjës për mirëmbajtjen e oborrit. Ja pse kam lidhje me Shqipërinë. Përtej kësaj, unë ndihem shumë mirë në Shqipëri. Nuk po e ekzagjeroj, por kur erdha në Tiranë, dola të shëtis nëpër rrugë të ndryshme dhe vura re shumë ngjashmëri me Turqinë. Për shekuj të tërë, të dyja vendet kanë bashkëvepruar.

Në saje të këtij bashkëveprimi janë krijuar dhe shumë familje. Për këtë arsye, turqit dhe shqiptarët ngjajnë nga fizionomia. Prandaj nuk u habita shumë kur erdha në Tiranë.

Nuk m’u duk sikur erdha në një kontinent tjetër, në një shtet tjetër dhe me një kulturë të ndryshme. Ndihem si në shtëpinë time dhe mendoj se në vitet pasardhëse, do të më duket sikur i përkas këtij vendi. Ndoshta mund të mendojmë edhe idenë

për të marrë nënshtetësinë shqiptare. E them këtë, sepse ndoshta në fund të mandatit, do të ndihemi si banorë vendas, ja pse e përmenda nënshtetësinë. Kur mëson gjuhën e një kombi, afrohesh më shumë me atë vend.

Kur hamë mëngjes, flasim shqip me punonjësit tanë, sepse po përpiqemi të mësojmë gjuhën. Kur erdhët këtu, ju thatë se arrini të kuptoni dhe se dini disa fjalë. Kjo është shumë normale dhe e dini përse? Është e vërtetuar se gjuha turke dhe ajo shqipe kanë rreth 4500 fjalë të përbashkëta.

Në vitet 1970, albanologu dhe turkologu i famshëm dhe njëherësh historiani shqiptar, z. Tahir Dizdari, ka bërë një studim për këtë. Ai doli në përfundimin se në të dyja gjuhët janë rreth 4500 fjalë të cilat kanë të njëjtin kuptim.

Ka dhe një gjë interesante, gruaja e z. Tahir është turke nga Edirneja. Kështu që z. Tahir shkoi më pas në Edirne dhe jetoi e punoi aty për një periudhë kohe.

Bruna: Cili është një element evropian që e keni gjetur ne Shqipëri dhe nuk e keni në Turqi.

Kultura e kafesë është shumë e rëndësishme në Shqipëri. Edhe ne kemi kafenë turke, por ju pini kafe që në pesë të mëngjesit. Që kur kam ardhur këtu, kam vënë re se shqiptarët janë shumë qejflinj, u pëlqen shumë të argëtohen. Madje edhe kafenetë hapen që në pesë e gjysmë të mëngjesit. Me sa kam parë, edhe makiatoja juaj në filxhan të vogël është shumë e famshme. Ne nuk pimë makiato atje, kemi vetëm kafenë turke. Pra, kultura e kafesë dhe pjesa e argëtimit është më e gjerë këtu sesa në Turqi.

Ne në Turqi e përdorim shumë çajin, ndërsa ju nuk e përdorni.

Madje bashkatdhetarët tanë disa ditë pasi vijnë në Shqipëri vijnë në ambasadë dhe kërkojnë çaj. Ne përgatisim çajin tonë të zi dhe kështu shuajmë mallin që kanë për çajin.

Të fundit