Flash News

KRYESORE

Ambasadorja shqiptare flet pas takimit në Ministrinë e Greqisë: Ramë dakord se "Bularati" është ngjarje e izoluar

Ambasadorja shqiptare flet pas takimit në Ministrinë e Greqisë:

Ambasadorja e Shqipërisë në Athinë, Ardiana Hobdari ka folur pas takimit që zhvilloi sot në Ministrinë e Jashtme të Greqisë për çështjen e Bularatit, ku mbeti i vrarë gjatë aksionit policor shtetasi Kostandinos Kaçifas.

Gjatë një interviste për Top Channel, ambasadorja Hobdari deklaroi se në takim pala greke i kishte shprehur të njëjtin qëndrim që ka shprehur publikisht edhe në deklaratën e Ministrisë. Hobdari nuk foli për notë proteste të dorëzuar nga Athina.

Sa i përket qëndrimit të Tiranës, ambasadorja theksoi se i kishte paraqitur zyrtarëve grekë qëndrimin e shprehur publikisht nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

“Në takimin në MPJ greke m’u prezantua qëndrimi i qeverisë greke, njëkohësisht edhe unë shpreha qëndrimin autoriteteve tona. Ishte një takim diplomatik që zhvillohet normalisht dhe ku secila palë shpreh vlerësimet e saj. Ne kemi shprehur qëndrimin e tonë, deklarata që është publikuar nga MPJ”, theksoi Hobdari.

Ambasadorja shqiptare deklaroi se me palën greke ranë dakord “që kjo është një ngjarje e izoluar që nuk duhet të politizohet dhe as nuk duhet të kthehet në debat midis vendeve dhe popujve tanë”.

Të fundit