Flash News

KRYESORE

Analisti shkencor i EMCDDA: Trafikantët shqiptarë të drogës po pushtojnë Europën; lidhjet me bosët e krimit në Shqipëri

Analisti shkencor i EMCDDA: Trafikantët shqiptarë të drogës

Grupet kriminale që flasin shqip po marrin drejtimin e shpërndarjes së narkotikëve në tregjet e BE-së, duke shqetësuar dukshëm Europën. Autoritetet europiane nuk e përjashtojnë mundësinë që grupet që veprojnë në Europë të jenë të lidhur me ata në Shqipëri, madje dyshimet janë se bosët e krimit në Shqipëri janë të mbrojtur dhe nuk i gjen gjë. Të gjitha këto aktivitete të paligjshme, si brenda dhe jashtë vendit mund të gjenerojnë potencialisht fluks parash të pista, që mund të hyjë në Shqipëri, çka mund të shtrembërojë ekonominë në Shqipëri…

“Shqipëria është një vend ku ka kultivim të madh kanabisi, ka njerëz që mund të importojnë 613 kilogramë kokainë, ka kriminelë që ka të ngjarë që të dërgojnë paratë e tyre atje. E gjithë Europa po thotë që Shqipëria është një vend i krimit të organizuar”. Me një gjuhë herë diplomatike, e herë të drejtpërdrejtë, të bazuar mbi shembuj konkretë, z. Laurent Laniel, analist shkencor për reduktimin e ofertës së drogës, në Qendrën Europiane të Drogave dhe Varësisë nga Drogat (EMCDDA), me seli në Lisbonë, ka dhënë nga zyra e tij një intervistë për “Monitor”.

Që në fillim, ai thotë se ka pak informacion për atë që ndodh brenda në Shqipëri, por është i mirinformuar për ndikimin që ka Shqipëria në tregjet europiane të narkotikëve dhe sidomos të grupeve kriminale që flasin shqip, të cilët po marrin drejtimin e shpërndarjes së narkotikëve në tregjet e BE-së, duke shqetësuar dukshëm autoritetet europiane.

Ai pohon se, pas vitit 2016, nga Shqipëria nuk raportohet më prodhim masiv i kanabisit, por kapjet e sasive të kanabisit në kufi vazhdojnë, çka të çon dy konkluzione, stok i madh ose prodhimi vazhdon në hapësira të mbyllura. Një tjetër dukuri që po hetohet së fundmi është trafikimi i vajit të kanabisit nga Shqipëria, kryesisht në Greqi e Turqi, ku dyshohet se në Turqi, trafikantët shqiptarë e këmbejnë atë me heroinë.

Ai pranon që Europa ka qenë e butë me Shqipërinë për historinë e kanabisit, pasi ai nuk konsiderohet si drogë shumë e dëmshme dhe është në proces legalizimi në shumë vende. Por, tani kanabisi është rikthyer sërish si prioritet, pasi ai gjeneron para për kriminelët, të cilët i investojnë pastaj këto para dhe shtrembërojnë ekonominë, shtrembërojnë shoqërinë, korruptojnë zyrtarët lokalë, sektorin privat etj.

Por, më shumë sesa për kanabisin e mbjellë në Shqipëri, autoritetet europiane janë të shqetësuara për grupet kriminale që po veprojnë jashtë Shqipërisë dhe këtë fakt z. Laniel e përsërit disa herë gjatë intervistës. Trafikantët shqiptarë që veprojnë në BE janë forcuar dukshëm së fundi dhe po marrin kontrollin e tregut në Britani, Francën Lindore etj.

“Kolegët në Britani thonë se shqiptarët po marrin tashmë drejtimin e tregut të kokainës dhe shpërndarjes në nivelin e mesëm”, pohon ai. Shqiptarët jashtë po bëhen një kërcënim më i madh, pasi ata duket se janë të përfshirë në tregjet më të mëdha të drogave. Interesant është dhe fakti se si shqiptarët e marrin drejtimin e shpërndarjes së narkotikëve, pasi ata perceptohen se janë eficientë dhe që e mbajnë fjalën e dhënë, -që na kujton traditën shqiptare të besës-, dhe arrijnë të sjellin ngarkesat sipas porosive.

Autoritetet europiane nuk e përjashtojnë mundësinë që grupet që veprojnë në Europë të jenë të lidhur me ata në Shqipëri, madje dyshimet janë se bosët e krimit në Shqipëri janë të mbrojtur dhe nuk i gjen gjë. “Pyetja më e madhe është se si kriminelët shqiptarë, që veprojnë jashtë Shqipërisë, ndërveprojnë me ata që janë në Shqipëri. A janë ata, ashtu siç besojnë oficerët e policisë në disa vende europiane, të lidhur me bosët e krimit, që janë në Shqipëri dhe me sa duket janë të mbrojtur dhe asgjë nuk i gjen ata atje dhe ata organizojnë operacione dhe marrin paratë nga operacione që kryhen jashtë vendit, si trafikimi i kokainës dhe heroinës”, pohon z. Laniel.

Një tjetër fakt, që sipas tij është i sigurt, është që shqiptarët janë përfshirë në sjelljen e kokainës direkt nga Amerika e Jugut, që është një hap tjetër në tregti. Gjithsesi, sipas vlerësimeve të tij, për Europën, Shqipëria nuk është ende një qendër e madhe shpërndarjeje për kokainën, pasi aktiviteti më i madh i importimit dhe shpërndarjes së kokainës për tregjet europiane është nga portet e Belgjikës dhe Holandës.

  1. Laniel pohon se të gjitha këto aktivitete të paligjshme, si brenda dhe jashtë vendit mund të gjenerojnë potencialisht fluks parash të pista, që mund të hyjë në Shqipëri, çka mund të shtrembërojë ekonominë në Shqipëri.

Por, në fund, ai është optimist se situata do të përmirësohet, pasi vendi është në proces integrimi drejt Bashkimit Europian. “Nëse Shqipëria do të lihej e braktisur, atëherë do të duhet të shqetësoheshit seriozisht shumë. Tani ju mund të shqetësoheni, por ndoshta më pak”.

Të fundit