Flash News

KRYESORE

Anëtarësia e PD-së nis fazën e dytë të votimit të emrave të kandidatëve për deputetë, procesi nis me Kukësin, Dibrën e Shkodrën

Komisioni i Vlerësimit të kandidatëve në Partinë Demokratike ka mbyllur fazën e dytë të filtrimit të emrave dhe lista është gati për t'iu çuar anëtarësisë.

Emrat për kandidatë për deputetë të kualifikuar do t’i nënshtrohen votimit nga anëtarësia e degëve, duke krijuar një ide më të qartë se cili prej tyre bind më shumë për të qenë në listën finale për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Sipas udhëzimit, anëtarët e PD-së do të shprehen me votë kontestuese, pra kandidatët që marrin më shumë vota, renditen të fundit.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i ka dërguar një shkresë degëve lokale të PD në Kukës, Dibër e Shkodër, ku jep udhëzimet për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.

Bardhi njofton strukturat se do të votojnë për të zgjedhur kandidatët për deputetë më datë 25 shtator në Kukës, 26 në Dibër, 30 shtator në Shkodër. Procesi i votimit do të zgjasë nga ora 10.00 deri në 18.00.

Lista me emrat e kandidatëve duhet të përgatitet dhe të shpallet nga dega e PD lokale jo më vonë se 24 orë para ditës së zgjedhjeve. Secili kandidat përpara procesit të konsultimit me anëtarësinë duhet të nënshkruajë një deklaratë personale ku merr përsipër përgjegjësinë që të mos përfshihet në praktika të ndaluara që dëmtojnë garën e lirë, të ndershme dhe të barabartë brenda partisë sipas formatit të miratuar.

Cilido kandidat që do të shkelë këto rregulla, do të skualifikohet nga lista e kandidatëve që do të konfirmohen nga anëtarësia dhe më pas do i dërgohen Kryesisë.

Të fundit