Flash News

KRYESORE

Ardhja e Pompeos/ Emërimet e reja në DASh: A do të jetë Jonathan Moore në postin që mbante Hoyt Yee? Në vend të Lu, një diplomat karriere

Ardhja e Pompeos/ Emërimet e reja në DASh: A do të jetë

Hoyt Brian Yee, i mbiquajturi 'Buldozeri', diplomati amerikan që deri para disa muajsh mbante postin e DAS (nënsekretarit të dytë të Shtetit për EuroAzinë) u la të largohej, nga tashmë ish-sekretari i Shtetit, Rex Tillerson. Yee, i cili pasi arriti një paqe të vështirë në Maqedoni, përmbylli një marrëveshje edhe në Tiranë, duke mundësuar që vendi të shkonte në zgjedhje bashkë me opozitën dhe të dilte nga kriza politike.

Siç ka raportuar Politiko.al emri i Hoyt Yee, pas këtyre dy sukseseve, u pa si i natyrshëm për një vend Ambasadori, dhe pista më e diskutuar ishte Maqedonia. Megjithatë, gjërat morën për keq, me sa duket edhe pas një letre të kongresmenëve republikanë amerikanë drejtuar Sekretarit Tillerson ku raportohej për përfshirje të ambasadave amerikane në Ballkan në promovimin e agjendës së majtë progresiste që sponsorizohej nga miliarderi George Soros. Shkupi ishte një prej emrave më të dyshuar. Një pjesë e 'përgjegjësisë', me sa duket ra edhe mbi 'shefin' e ambasadorëve amerikanë në Ballkan, Hoyt Yee.

Që prej ikjes së Yee, vendin e tij e ka zënë (përkohësisht) Matt Palmer. Një kontakt diplomatik, me lidhje në  Washington DC, i tha Politiko.al se kjo është e vetmja kartë e panjohur sa i takon Shqipërisë në 'epokën Pompeo' në krye të Departamentit të Shtetit: Kush do të jetë DAS (nënsekretar i dytë i Shtetit) për Ballkanin?

Sipas të njëjtit burim, nuk dihet nëse Matt Palmerit do t'i jepet posti që mban (ad interim) në mënyrë permanente. "Nuk duhet harruar një emër, ai i Jonathan Moore, ish shefi i zyrës së Euroazisë për Ballkanin, dhe së fundmi shefi i Misionit të OSBE në Sarajevë", thekson burimi i Politiko pa dashur të identifikohet. 

Jonathan Moore është një personazh i njohur për Tiranën politike. Ai e ka vizituar disa herë Shqipërinë në kapacitetet e një emisari amerikan. Moore perceptohet si më i afërt me opozitën aktuale në Tiranë dhe emërimi i tij, nëse ndodh, do  të jetë një frymëmarrje lehtësimi për Bashën dhe demokratët të cilët, shpesh janë ankuar se komuniteti ndërkombëtar ka bërë një vesh shurdh sa u takon denoncimeve të opozitës.

Një tjetër lëvizje e pritshme që mund të ndryshojë diçka në mënyrën se si shihen gjërat në Tiranë është edhe largimi këtë verë, kohë kur i mbaron mandati, i Ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Sipas burimeve të Politiko.al në Departamentin e Shtetit, pritet që në Tiranë të emërohet një tjetër diplomat karriere.

Ambasadori Lu është gjithashtu një diplomat karriere që vjen nga radhët e Shërbimit të Huaj (Foreign Service). 

Të fundit