Flash News

KRYESORE

Armand Duka reagon pas humbjes: Tifozë kuq e zi, mos u sillni si politikanët tanë

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka reaguar pas humbjes së ekipit kuqezi me Francën, 4:1. Ai iu bënë thirrje tifozëve VIP dhe atyre kuqezi që ta mbështesin ekipin Kombëtar jo vetëm në ditë të mira. Duka nuk i kursen “thumbat” për të ashtuquajtur tifoza VIP, që sipas tij turren gjithmonë për t’u bërë pjesë e pamerituar e suksesit të të tjerëve.

“Vipat tanë kudo ku ndodhen, në politike dhe jashtë saj, turren gjithmonë për t’u bërë pjesë e pamerituar e suksesit të të tjerëve: kështu po bëjnë sot me Kombëtaren e shkëlqyer të Kosovës, madje po turren më shpejt për të shqyer “tortën e suksesit” me shpejt se dhe vetë polikanët kosovarë apo Vipat kosovarë…”, shkruan ndër të tjera ai.

Shqipëria do të luajë të martën në orën 20:45 përballë Islandës, ku do të kërkohet fitoja pas paraqitjes së dobët dhe humbjes së thellë ndaj “Gjelave” të Didier Deshamp.

Postimi i plotë:

Dy fjalë për tifozat Vip dhe ata kuqezi

Rastësisht, sot pashë një status të një tifozeje të thjeshtë (Jo vip ) të Kombëtares Shqiptare, që mendoj në fakt se është zemra e çdo tifozi Kuq e Zi : ” KOMBËTARE, DO TË VAZHDOJ TË TË DUA, EDHE NË DITË TË MIRA, EDHE NË DITË TË KËQIJA” . Është një mesazh në fakt që përpara se ta lëshoja unë si President i Federatës së Futbollit, do ishte më e dobishme ta dëgjonim nga goja e të parëve të shtetit apo të ashtuquajturit tifoza Vip që vijnë në stadiume vetëm kur jemi në fitore.

Në fakt, nuk ka të papritura, Vipat tanë kudo ku ndodhen, në politike dhe jashtë saj, turren gjithmonë për t’u bërë pjesë e pamerituar e suksesit të të tjerëve: kështu po bëjnë sot me Kombëtaren e shkëlqyer të Kosovës, madje po turren më shpejt për të shqyer “tortën e suksesit” me shpejt se dhe vetë polikanët kosovarë apo Vipat kosovarë…

Më kujtohet tre vjet më parë kur disa prej tyre ishin gati ta ndërronin foton e Ismail Qemalit me atë të Gianni De Biasit. Duke mos i kursyer duartrokitjet për Kombëtaren e Kosovës, tifozë të dashur Kuq e Zi, mos u bëni si Vipat tanë: nuk është aspak qytetari ta duash kombëtaren e vendit tënd vetëm kur është në ditët më të mira: duajeni Kombëtaren dhe kur nuk është në ditët e saj më të mira, se me dashurinë tuaj ditët e mira vijnë shpejt: u mposhtëm nga Kampionët e Botës, por ëndrra jonë nuk ka mbaruar.

Të fundit