Flash News

KRYESORE

Armand Shkullaku u propozon kundërshtarëve të Bashës krijimin e partisë së re: Është e vetmja rrugë për ta

Armand Shkullaku u propozon kundërshtarëve të Bashës

Gazetari Armand Shkullaku e sheh krijimin e një partie të re të djathtë si të vetmen rrugë që kundërshtarët e Lulzim Bashës të rimarrin atë që u takon nga investimi i tyre në Partinë Demokratike. Në një shkrim të publikuar në gazetën ‘Mapo’, Shkullaku komenton deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilin thotë se është i bindur se krijimi i një partie të re, që në zgjedhjet lokale të 2019-ës, do ia asgjesonte PD-në politikisht.

Shkullaku thekson se është shumë vonë që lutjet e Berishës të bëjnë punë, por kërkon prej tij që të gjejë mekanizmin për rikthimin e ish-deputetëve në partinë që drejtohet nga Basha.

Pjesë nga shkrimi:

Kjo PD nuk do të mund të prodhojë lajm dhe, më keq akoma, mund të mos merret seriozisht si opozitë. Lajm do vazhdojë të mbetet ajo çfarë do të ndodhë brenda saj.

Po t’i shtosh këtij shqetësimi edhe këmbënguljen e kundërshtarëve të Bashës për të vazhduar rrugëtimin e tyre politik, gjërat bëhen fare të qarta për një politikan me përvojë si Sali Berisha. Ai është i bindur se krijimi i një partie të re, që në zgjedhjet lokale të 2019, do t’a asgjesonte PD politikisht. Edhe ato pak vota që i kanë mbetur, do të ndaheshin përsëri, duke e shndërruar Ramën në një lider të gjithëpushtetshëm.

Prandaj Berisha u lutet ish bashkëpunëtorëve të tij të mbeten tek investimi i tyre. Por është shumë vonë në kohë që lutjet të bëjnë punë. Sali Berisha ose duhet të gjejë mekanizmin që investimi për të cilin flet të përfaqësohet në “pronësinë” e PD ose përndryshe duhet t’i lerë “djemtë e tij të shkojnë”. Këta të fundit nuk kanë rrugë tjetër. Vetëm një parti e re, do të ishte imponimi politikisht korrekt, për të rimarrë atë që u takon nga investimi i tyre në Partinë Demokratike. Doktori duhet të lirojë tespihet dhe t’i hedhë secilit kokrrën e tij të fatit, përfshi edhe Lulzim Bashën.

Të fundit