Flash News

KRYESORE

Armëpushimi Rama–Meta, sinjalet që shpjegojnë “një erë të re” mes kryeministrit dhe presidentit

Armëpushimi Rama–Meta, sinjalet që shpjegojnë

Prej muajsh, presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama nuk u kanë shpëtuar pyetjeve në media për një “pranverë” të re mes tyre, pas akuzave dhe “luftës” politike në distancë.

Megjithatë, duket se bëhet fjalë për një “stinë” të re në marrëdhëniet mes kreut të PS dhe presidentit, ish kreut të LSI, me të cilin ndau tepsinë e mandatit të parë në 2013-ën.

Dje, mazhoranca në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë pranoi pas tri refuzimesh propozimin e presidentit, për kreun e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu.

Në komision, emri i Shehut, një emër më pak i njohur se tri kandidaturat e para, u vota me 15 vota pro, dy kundër dhe një abstenim.

Kujtojmë se më herët, shumica i kishte ‘rrëzuar’ kandidaturat e Metës si Vitore Tushën, Bahri Shaqirin dhe Petraq Milon për drejtuesin e KLSH, që deri tani është mbajtur nga Bujar Leskaj.

Kjo dakordësi u lexua ndryshe edhe si një afrim i radhës mes dy krerëve të lartë.

Dvorani

Pak ditë më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi me shumicë votash shkarkimin e Ardian Dvoranit, si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Me këtë vendim, Dvorani humbi detyrën si drejtues i këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vendim që vinte pas një beteje të gjatë mes tij dhe Presidentit, Ilir Meta. Madje, ky i fundit e ka akuzuar atë për vendime të njëanshme në favor të qeverisë gjatë proceseve për reformimin e sistemit të drejtësisë.

"Takim bërrylash"

Dy javë më parë, ata u ulën në një tryezë, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit.

Para takimit, ata u fotografuan të buzëqeshur, pa shtrëngim duarsh, por me takime bërrylash për shkak të pandemisë.

Megjithatë, pak më vonë, kryeministri Rama e shpërndau në profilin e tij në instagram duke e komentuar si “Luftë bërrylash”, foton dhe raportet me presidentin.

Ndryshimet e Kodit Penal

Një tjetër moment paqeje mjaft e komentuar si ‘pranvera’ e re Rama-Meta ishte dekretimi i ndryshimeve në Kodin Penal, nismë e qeverisë për shkak të pandemisë Covid-19.

Duke komentuar veprimin e tij, presidenti deklaroi në atë kohë se ndryshimi ishte i nevojshëm, dhe nëse nuk do të jepte ‘ok’, qeveria sërish do miratonte ndryshimet.

Këto ndryshime parashikonin dënime me burg për të gjithë ata që kryejnë me dashje veprime duke përhapur koronavirusin.

Të fundit