Flash News

KRYESORE

Arrestimi i 22 komisionerëve, Klodiana Lala: SPAK duhet të japë përgjigje kush 'i detyroi'; nëse ndalet këtu s'ka bërë asgjë

Arrestimi i 22 komisionerëve, Klodiana Lala: SPAK duhet të japë

Për gazetaren e kronikës, Klodiana Lala, arrestimi i komisionerëve të 4 partive nga SPAK nuk është një “fitore”. Gjatë një interviste në rubrikën “Opinion” në News 24, Lala shprehet se SPAK duhet të jap shpjegime se cilin subjekt politik ka favorizuar vjedhja e votave të Komisionërëve. Sipas Lalës, komisionerët janë hallka e fundit e zinxhirit të krimit zgjedhor të bërë në zgjedhjet e 2017 dhe se duhet zbuluar kush i detyroi ata (zyrtarë të lartë apo grupe kriminale) që të bënin vjedhjen.

“SPAK duhet të japë përgjigje! Nëse ndalet këtu atëhere s’ka bërë asgjë”, ka thënë Lala.

“SPAK nuk ka dhënë sot shpjegime në favor të kujt subjekti politik është votuar. Nëse SPAK ndalet këtu atëhere s’ka bërë asgjë. Pra janë komisionerë të 4 partive, që mbrojnë interesat e palëve të tyre, pra kush i detyroi këta, ose zyrtarë të lartë ose grupe kriminale në funksion të vetëm një pale. SPAK duhet të zbardhë këtë dhe të ndëshkojë, përkatësisht për krime zgjedhore. Nuk mund të ndalet SPAK në arrestimin e vetëm komisionerëve që pas një kohe lirohen. SPAK duhet të japë përgjigje cilët janë zyrtarët e lartë dhe anëtarët e grupeve kriminale. Janë zyrtarë të lartë të dosjes 339 që janë përgjuar duke folur me anëtarë të grupeve kriminale”, deklaroi Lala.

Gazetarja tregon se ka edhe një hetim për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, pavarësisht se ende nuk është i akuzuar për vepër penale. Sipas saj, drita jeshile për Shqipërinë drejt BE-së varet nga SPAK, pasi Bundestagu ka kërkuar dënimin e personave që kanë bërë krime zgjedhore dhe po ashtu PE e ka vënë këtë si kusht.

“Ka një hetim për Dakon, por nuk i është regjistruar emri në atë kolonën që i atribuohet një vepër penale.

Këto arrestime të sotme janë vetëm maja e ajsbergut të dosjes 339 por edhe asaj 184 e cila po ashtu ka të bëjë me krime zgjedhore. Nëse SPAK do t’i ndalojë përpjekjet e saj në këtë stad atëhere s’ka bërë asgjë. Bundestagu ka bërë deklaratë zyrtare që kush ka bërë krime zgjedhore duhet të shkojë në burg, PE e vuri kusht. SPAK ka në dorë të japë dritën jeshile për Shqipërinë”, tha Lala.

Të fundit