Flash News

KRYESORE

Arrestimi i gjyqtarit Miri, zbardhen detaje të reja nga “pazari” me sekserët

Arrestimi i gjyqtarit Miri, zbardhen detaje të reja nga

Zbulohen detaje të reja për rastin e korrupsionit të gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri.

Sipas dosjes hetimore, kanë qenë dy persona që kanë luajtur rolin e sekserëve për paratë që dyshohen se ka marrë Miri në këmbim të votës pro lënies në fuqi të një vendimi të Gjykatës së Matit, që i kualifikonte veprën të akuzuarit Doda nga “vrasje me paramendim” në “plagosje të rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen, shkruan ‘Panorama’.

Bëhet fjalë për shtetasit Alban Buçi dhe Kujtim Miri. I pari mësohet se është njeri i afërt me të akuzuarin Gentian Doda, ndërsa i dyti është djali i xhaxhait të Shkëlqim Mirit. Këta persona kanë ndërmjetësuar dhe kanë qenë pjesë e takimeve ku është konsumuar vepra penale e “korrupsionit”. Hetimet për Shkëlqim Mirin mësohet se kanë nisur në janar të këtij viti, pas informacioneve se gjykatat shqiptare po kryenin manovra për t’i dhënë liri të akuzuarit për dy vrasje, Gentian Dodës.

Në muajin maj, Alban Buçi dhe Kujtim Miri dyshohet se janë takuar disa herë për të negociuar lidhur me pagesën që do të kryhej te gjyqtari, i cili në Apel do të votonte pro lënies në fuqi të vendimit të Gjykatës së Matit për Gentian Dodën. Kështu, sipas hetimeve, Buçi dyshohet se ka dorëzuar paratë te Kujtim Miri, i afërmi i gjyqtarit dhe më pas ka njoftuar Gentian Dodën për kryerjen e transaksionit,shkruan ‘Panorama’. Takimet janë bërë në Fushë- Krujë, qytet prej nga cili është edhe gjyqtari Miri.

Pagesa dyshohet se ka qenë 20 mijë euro, në këmbim të votës pro lënies në fuqi të vendimit të Gjykatës së Matit. Prokuroria ka si prova kamerat e sigurisë së lokalit ku është kryer takimi mes sekserëve, si edhe SMS-të që ka shkëmbyer Buçi me Gentian Dodës për arritjen e marrëveshjes. Megjithatë, pozita e gjyqtarit rëndohet shumë, pasi në një kontroll në banesën e tij, Policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme lekësh, dollarësh dhe eurosh, që në total shkojnë rreth 33 milionë lekë të rinj.

Kjo pasuri nuk i afrohet aspak asaj që ka deklaruar gjyqtari, e cila është afërsisht 3 milionë lekë të rinj.

 

Të fundit