Flash News

KRYESORE

Arrestimi i protestuesve për Rrugën e Kombit, s'ndalen kuksianët, ç'do bëjnë sot para Gjykatës

Qytetarët e Kukësit do të protestojnë ditën e sotme para Gjykatës së këtij qyteti në mbështetje të 11 protestuesve që vazhdojnë të jenë në paraburgim, pas arrestimit për shkak të protestave të tyre për taksën e Rrugës së Kombit.

Protesta është organizuar nga Këshilli Bashkiak i Kukësit, dhe do të mbahet në orën 11:00, paralelisht me zhvillimin e seancës parlamentare.

"Të nderuar banorë të Kukësit, Hasit dhe Tropojës. Në mbështetje të vëllezërve tanë të arrestuar në mënyrë të paligjshme në protestën e 31 marsit 2018, Këshilli bashkiak Kukës ju njofton organizimin e tubimit mbarëpopullor në datë 19 prill 2018, në orën 11:00, te sheshi para Gjykatës Kukës. Ju ftojmë të merrni pjesë", shkruhet në njoftim.

Ndërkohë kujtojmë se ditën e nesërme, Gjykata e Apelit në Shkodër do të zhvillojë seancën për masën e sigurisë për 11 kuksianët e ndaluar pas protestës në Rrugën e Kombit.

Avokatët e tyre të cilët apeluan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, kërkojnë lirimin e 11 protestuesve, ndërkohë Prokuroria i qëndron masës së sigurisë, arrest me burg.

Të fundit