Flash News

KRYESORE

Arrestohet në Tiranë presidenti i ‘Turbinës’, qytetarët sinjalizuan policinë se mbante pistoletë

Arrestohet në Tiranë presidenti i ‘Turbinës’,

Është vënë në pranga presidenti i ekipit të futbollit të Turbinës së Cërrikut, Gentian Gjoka.

Policia njofton se Gjoka u arrestua në Tiranë, pasi qytetarët kishin sinjalizuar se një person mbante armë zjarri me vete.

“Bazuar në informacionet e marra nga qytetarët se një person në kërkim qarkullonte me armë zjarri, nga shërbimet e Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë është organizuar dhe finalizuar operacioni "Lokalizimi", në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim: G.Gj., 45 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur lokalizimin e tij në rrugën “Medar Shtylla” dhe falë ndërhyrjes në kohë është bërë e mundur kapja e tij. Nga kontrolli fizik dhe në banesë këtij shtetasi iu gjet një armë zjarri pistoletë, me një krehër me fishekë luftarak”, njofton policia.

Pas arrestimit, rezultoi se Gjoka ishte i shpallur në kërkim për llogari të policisë Vlorë, për veprën penale “Mashtrimi”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Të fundit