Flash News

KRYESORE

Arrihet marrëveshja, gati nënshkrimi për shitjen e ‘NBG’ te banka ku Linda Rama është drejtuese

Arrihet marrëveshja, gati nënshkrimi për shitjen e

Marrëveshja për shitjen e Bankës Kombëtare të Greqisë (NBG) tek Banka Amerikane e Shqipërisë (ABI Bank) pritet të nënshkruhet shumë shpejt (edhe brenda ditës së sotme). Burime të bankave thanë për ‘Monitor’ se marrëveshja është arritur që në fund të vitit të kaluar, por nënshkrimi i saj u shty pak në kohë për shkak të disa problemeve teknike në sistemin e teknologjisë së informacionit.

Njoftimi pritet të bëhet zyrtar nga NBG menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Pas arritjes së marrëveshjes mes dy palëve, ajo të çohet për miratim tek Banka e Shqipërisë. Kjo e fundit ka pohuar do të marrë vendimin pasi të shohë planin e biznesit dhe strategjinë e bashkimit mes tyre. Gjithsesi, nuk pritet që banka qendrore ta refuzojë këtë blerje, pasi ABI është një bankë me aktivitet të qëndrueshëm.

Në garë për të blerë NBG ishin edhe Banka e Parë e Investimeve (FiBank) dhe Eurosig. Që në fillim, ABI Bank mësohet se ishte e preferuar dhe lobimi ka qenë i madh për ta shpallur atë fituese (Shënim: Linda Rama është pjesë e bordit drejtues), ndërsa Banka e Shqipërisë favorizonte Fibank, ndërsa Eurosig ishte jashtë loje, për shkak të mungesës së përvojës së sistemit bankar. Procesi zgjati disa muaj për shkak të çmimit të ulët të ofruar.

Asetet e NBG Albania, në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, ishin 40 miliardë lekë, ose 2.8% e totalit të sistemit bankar. Banka kishte gati 4% të stokut të huave dhe 2.6% të depozitave, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Për 9-mujorin ajo kishte deklaruar një humbje prej rreth 133 milionë lekësh.

Ndërsa asetet e Bankës Amerikane të Investimeve (ish-Crédit Agricole që në 2015-n u ble nga NCH Capital) ishin 2.81 miliardë lekë, ose 2.85% e totalit. Në këtë mënyrë, pas blerjes ABI do të ketë 5.65% të totalit të aseteve të sistemit bankar, duke u ngjitur në bankën e gjashtë më të madhe në sistem, pas BKT (27.8%), Raiffeisen (17%), Credins (12.06%), Intesa (11%), Societe (5.8%).

Të fundit