Flash News

KRYESORE

“Askush mbi ligjin”; këto janë rastet kur fraza përdorur nga Rama nënkupton të kundërtën për deputetët e tij

“Askush mbi ligjin”; këto janë rastet kur fraza

“Për ne askush s'është mbi ligjin”, kështu e mbyll reagimin e tij të shkurtër kryeministri Edi Rama sa i përket skandalit ku është përfshirë djali i deputetit të PS, Rrahman Rraja.

Por për qytetarët shqiptarë kjo frazë e përdorur nga kryeministri tashmë nënkupton të kundërtën: politikanët dhe deputetët vijojnë të jenë mbi ligjin.

Që pas ardhjes në pushtet dhe fillimit të publikimit të skandaleve, Rama e ka përdorur disa herë këtë frazë, kur deputetët e tij janë përfshirë në skandale të ndryshme. Rezultati ka qenë i njëjtë për të gjithë, deputetët e PS në fund kanë rezultuar se janë mbi ligjin.

Armando Prenga

Në shtator të 2015-ës, deputeti i PS, Armando Prenga u përfshi në një konflikt me anëtarët e fisit Cali në Laç. Deputeti i mazhorancës guxoi aq sa të hynte brenda komisariatit dhe të qëllonte me armë.

Pas publikimit të skandalit, Prenga u përjashtua nga grupi i PS, ndërsa kryeministri Rama do të shprehej: “Askush s’është mbi ligjin aq më pak deputeti! Ngjarja e Laçit kërkon ndëshkim të plotë ligjor. Koha e të paprekshmeve ka ikur bashkë me Saliun!”

Pak kohë pas arrestimit, Armando Prenga kaloi në ‘arrest shtëpie’, masë e cila  gjithashtu iu hoq pas disa muajsh. Sot, ish-deputeti i PS jeton i qetë jashtë politikës.

Për të mos u harruar është fakti që kamerat në komisariatin e Laçit u fikën kur ndodhi ngjarja ku u përfshi deputeti.

Saimir Tahiri

Për Saimir Tahirin, kryeministri Rama dhe zyrtarët e tjerë të Partisë Socialiste kanë kërkuar disa herë që t’i lihet në dorë drejtësisë. I akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, ish-ministri i Brendshëm u mbrojt fillimisht nga Rama për të mos u përballur me ligjin, por pas presionit të fuqishëm ndërkombëtar, Tahiri iu dorëzua drejtësisë, të paktën përkohësisht.

“Vendimi i sotëm për Saimir Tahirin nuk komentohet, thjesht respektohet si një e drejtë e organeve të drejtësisë, të cilat i detyrohen vendit e botës një proces të pavarur, transparent e me integritet të plotë kushtetues e profesional, duke garantuar drejtësi jashtë çdo influence politike, mediatike a diplomatike”, do të shprehej Rama në maj të 2018-ës kur Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për Tahirin.

Procesi ndaj ish-deputetit të PS vijon ende, por opozita akuzon se Rama ka bërë çdo lëvizje të mundshme që ta ngrejë Tahirin mbi ligjin. Atij i është hequr edhe masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’, si dhe i është rikthyer pasaporta.

Fatmir dhe Agron Xhafaj

Agron Xhafaj ishte dënuar në Itali për trafik droge, por vëllai i ministrit të Brendshëm jetonte i qetë në Shqipëri. Ndonëse Fatmir Xhafaj ishte në dijeni të dënimit të pashlyer nga vëllai në Itali, sërish pranoi të merrte detyrën e ministrit të Brendshëm dhe të mos fliste për ngjarjen.

Me dorëzimin e Agronit në shtetin fqinj, Rama do të përsërite sërish frazën ‘askush mbi ligjin’, ndonëse vëllai i ministrit i kishte ikur ligjit për vite me radhë.

“(Agron Xhafaj) ka marrë vendimin e tij për të shkuar me këmbët e veta në burg për ta kryer (dënimin), por kjo vlen, pra parimi që askush nuk është mbi ligjin, edhe për qeverinë që nuk mund ta ndalonte dhe çonte në Itali duke shkelur ligjet që përcaktojnë kornizën e veprimtarisë së saj. Ky është edhe qëndrimi i qeverisë sonë dhe imi personal si kryeministër. Për mua nuk ka pasur asgjë të panjohur në këtë histori”, ka deklaruar Rama.

22 emra/ Këto janë gratë deputete që kanë braktisur Xhisielën për të mbrojtur Rexhepin

Të fundit