Flash News

Kosova

Asnjë rezultat nga takimi Kurti-Hamza, Kurti: Përgjegjësia për zgjedhjen e Presidentit e të gjithëve

Asnjë rezultat nga takimi Kurti-Hamza, Kurti: Përgjegjësia

Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u takua këtë të premte me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i cili nuk prodhoi asnjë rezultat lidhur me diskutimet për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit.

Kurti tha pas takimit se biseda ishte konstruktive, por nuk prodhoi një rezultat konkret për formimin e institucioneve të reja. Hamza, nga ana tjetër, konfirmoi se partia e tij do të mbetet në opozitë, duke shtuar se LVV-ja e ka përgjegjësinë për formimin e institucioneve.

“Bazuar në bisedat që kemi pasur dhe diskutimet që kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë, që t’i japin vendit institucione, duke i përfshirë të gjitha institucionet”, tha Hamza për gazetarët.

Nga ana tjetër, Kurti deklaroi se si udhëheqës i partisë fituese në zgjedhjet e qershorit, përgjegjësia për formimin e qeverisë bie mbi ta, por përsëriti sërish qëndrimin e tij se për çështjen e zgjedhjes së presidentit, përgjegjësia është e të gjitha partive.

“Pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale, dikush i asnjë partie, përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuar kombëtare e profesionale dhe të jetë shprehje e unitetit… Për qeverisje përgjegjësia bie mbi ne, por për zgjedhjen e presidentin të gjithë kemi përgjegjësi”, tha ai.

Të fundit