Flash News

E-TJERA

Zjarri del jashtë kontrollit në Lushnjë, një i plagosur dhe një i arrestuar

Një zjarr i shkaktuar nga djegia e mbeturinave në një parcelë toke ka përfunduar me pasoja të rënda në fshatin Lumth të Lushnjës, ku një person është arrestuar, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur duke u përpjekur të shuante flakët.

Policia njofton se specialistët e Komisariatit të Lushnjës arrestuan në flagrancë 57-vjeçarin me iniciale I. K., i cili dyshohet se ndezi zjarr në pronën e tij për të djegur mbeturinat. Për shkak të përhapjes së shpejtë, flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në tokën fqinje.

Si pasojë e zjarrit, u dogjën një zetor, një rimorkio dhe sasi të konsiderueshme baze ushqimore të destinuar për blegtorinë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Gjatë përpjekjeve për të shuar flakët dhe për të mbrojtur pronën e tij, pronari i parcelës fqinje, shtetasi A. A., pësoi djegie në trup. Ai u dërgua në Spitalin e Lushnjës, ku po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndaj 57-vjeçarit rëndon akuza për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr", ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.

Të fundit