Flash News

E-TJERA

BB: Shqipëria të ribalancojë fondet e shëndetësisë nga spitalet drejt parandalimit

shendetesi-new-6.jpg

Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për më shumë para në shëndetësi, por për një ndryshim të mënyrës se si alokohen fondet publike, sipas një raporti të ri të Bankës Botërore, i cili argumenton se struktura aktuale e shpenzimeve kufizon efikasitetin e sistemit dhe aftësinë për t’iu përgjigjur sfidave afatgjata.

Institucioni vlerëson se vendi ka bërë përparim në treguesit shëndetësorë dhe ka zgjeruar mbulimin publik, por thekson se financimi vazhdon të mbështesë kryesisht kujdesin spitalor në vend të shërbimeve parandaluese dhe kujdesit parësor.

Sipas raportit, në vitin 2023 shpenzimet publike për shëndetësinë arritën në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një rritje krahasuar me një dekadë më parë, por ende ndër nivelet më të ulëta në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, Banka Botërore argumenton se kufizimet financiare nuk janë shpjegimi i vetëm për dobësitë e sistemit.

Raporti thekson se gati 70% e shpenzimeve publike përdoren për financimin e spitaleve, ndërsa vetëm rreth 14% shkojnë për kujdesin shëndetësor parësor, edhe pasi merren në konsideratë të gjitha burimet e financimit. Sipas dokumentit, kjo strukturë e shpenzimeve përfaqëson një sfidë të kahershme, sepse kufizon investimet në parandalim dhe në menaxhimin e sëmundjeve kronike, si edhe pengon ofrimin e kujdesit më efektiv dhe me kosto më të ulët.

Banka Botërore vëren se, megjithëse financimi për kujdesin parësor është më shumë se dyfishuar gjatë dekadës së fundit, pesha e tij në buxhetin total mbetet e ulët krahasuar me shpenzimet për spitalet.

Raporti propozon që reformat të mos përqendrohen vetëm te rritja e fondeve, por te mënyra e shpërndarjes së tyre.

Një nga katër prioritetet kryesore të rekomanduara është ribalancimi i shpenzimeve publike drejt shërbimeve me ndikim më të lartë, veçanërisht kujdesit parësor dhe shërbimeve parandaluese. Dokumenti rekomandon kthimin e kujdesit parësor në një rol më qendror për menaxhimin e sëmundjeve kronike, uljen e shtrimeve të shmangshme në spitale dhe përmirësimin e efikasitetit të përdorimit të fondeve publike.

Në kapitullin e rekomandimeve, Banka Botërore propozon që Shqipëria të synojë që të paktën 25% e shpenzimeve publike për shëndetësinë të drejtohen drejt kujdesit parësor, duke e shoqëruar këtë me mekanizma më të avancuar financimi, pagesa të bazuara në kapitim dhe stimuj për performancën. Dokumenti rekomandon gjithashtu kontraktim selektiv me ofrues privatë aty ku konsiderohet i përshtatshëm dhe përmirësim të aksesit në barnat ambulatore.

Raporti lë të kuptohet se sfida kryesore për sistemin shqiptar nuk është vetëm mobilizimi i më shumë burimeve financiare, por përdorimi i tyre në mënyrë që të rrisë efikasitetin, barazinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor. Monitor 

 

Të fundit