Flash News

KRYESORE

Aty ku dikur 'të kosiste' mitralozi gjerman u ngrit monumenti komunist; Historia e panjohur e 'Partizanit të Panjohur' (FOTO)

Marsel Lela

Termi ‘ushtar i panjohur’ (miles ignotus) daton që herët dhe është krijuar së pari gjatë luftërave koloniale për t’u dhënë njëfarë identiteti ushtarëve që mbeteshin nëpër rërën e shkretëtirave dhe, si në një varr të përbashkët, përmblidheshin nën emërtimin “të panjohur”. Ky term u përdor edhe më vonë, pas Luftës së Parë Botërore, ku për nder të ushtarëve të rënë, por të paidentifikuar, ndërtohej një monument që njihej si “Varri i ushtarit të panjohur”.

Edhe në Tiranë, në njërin prej shesheve kryesore të qytetit, ndodhet një monument i tillë i ndërtuar nga skulptori Andrea Mano që mban emrin “Partizani i panjohur”. Në fillim monumenti u vendos mbi një piedestal katër metra të lartë, por pas rikonstruksionit që iu bë në vitin 2008 u vu në një piedestal 2.8 metra. Në pllakadën e piedestalit shkruhet që ky monument u dedikohet partizanëve të rënë gjatë luftës për çlirimin e kryeqytetit nga 28 tetor deri më 17 nëntor 1944.

Partizani Panjohur mbahet si monumenti i parë i ngritur pas Luftës së Dytë Botërore, më 1949, pranë vendit ku qe ngritur edhe ndërtesa e parë në Tiranë, Xhamia e Sulejman Pashë Bargjinit, e cila u shkatërrua gjatë luftimeve për çlirimin e Tiranës. Kur i pyet qytetarët që kanë jetuar gjatë kohës së komunizmit, ata e lidhin ‘Partizanin e Panjohur’ me ‘Kinema Partizanin’, e cila ka qenë edhe kinemaja e fundit që u ndërtua në Tiranë, pranë monumentit prej të cilit mori edhe emrin.

Dikush tjetër, me shaka, e lidh atë me vendin ku, pas viteve 90, punëtorët e krahut mblidheshin për të gjetur punë me mëditje. Por askush nuk e di se gjatë Luftës së Dytë Botërore, aty ku sot ngrihet monumenti i parë socrealist, ka qenë një bunker gjerman. Politiko.al ka gjetur në Arkivën Qendrore të Shtetit dy fotografi të këtij bunkeri. Në foto duket qartë një bunker me katër gryka zjarri prej nga ushtarët nazistë sulmonin në rast mësymje. Nuk dihet data e saktë se kur janë marrë këto foto, por përreth bunkerit shihen 'të freskëta' gjurmët e luftës: rrënoja, istikame dhe tela me gjemba.

Përreth bunkerit shihen ndërtesa gjysëm të rrënuara nga luftimet, në sfond është mali i Dajtit, ndërsa pas shpinës së bunkerit duket qartësisht xhamia e Sulejman Pashë Bargjinit, akoma e paprekur nga bombardimet.

Është intersant fakti që në vendin ku do të ndërtohej monumenti i parë komunist, ka qenë më parë një simbol nazist, e mbase për të shuar kujtimin e këtij të fundit është zgjedhur pikërisht ai vend për ndërtimin e ‘Partizanit të panjohur’. Po aq interesant është edhe fakti se në atë vend pelegrinazhi për besimtarët do të zinte vend një ‘përbindësh’ lufte, e më pas akoma një monument që do të priste sërish pelegrinë, por të një ‘feje’ tjetër.

 

Të fundit