Flash News

KRYESORE

Austria drejt zgjedhjeve/ Cilat janë 3 gratë shqiptare që kandidojnë për një vend në Parlament

Të dielën me 29 shtator austriakët do t’u drejtohen qendrave të votimit për zgjedhjet parlamentare, ndërsa në garë për deputete do të jenë edhe tri gra nga Kosova.

Në këto zgjedhje të parakohshme, të drejtë vote kanë edhe shqiptarët me nënshtetësi austriake, të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e gjithë shqiptarëve që jetojnë në Austri.

Shqiptaret që garojnë për 183 vendet në Parlamentin e Austrisë janë Drita Cacaj dhe Ina Rexhepi nga ÖVP (Partia Popullore e Austrisë) si edhe Serafina Demaku nga partia SPÖ (Partia Socialdemokrate e Austrisë).

Kandidatet shqiptare kanë ftuar bashkëkombësit e tyre që të shfrytëzojnë të drejtën dhe të votojnë kandidatët shqiptarë, që për herë të parë të bëhen pjesë e Parlamentit austriak.

Kandidatja e ÖVP-së Drita Cacaj e cila garon në listën e kandidatëve për Vjenën, ka thënë se ata që nuk dalin në votime nuk duhet pastaj të ankohen. “Shqiptarët në Austri fatkeqësisht janë komuniteti që më së paku dalin në zgjedhje. Ne duhet të jemi të integruar në secilën sferë të jetës në Austri dhe duhet të jemi faktorë edhe në jetën politike të Austrisë. Në rast se ne nuk përkrahim njëri–tjetrin nuk mund të forcohemi si komunitet. Ne ankohemi tërë kohën kurse nuk jemi në gjendje një ditë të dalim dhe të votojmë për të ndryshuar gjendjen dhe për të kërkuar të drejtat që na takojnë”, ka thënë për albinfo.ch, kandidatja Drita Cacaj e cila theksoi se të gjithë ata që kanë nënshtetësi austriake e kanë për obligim moral dhe ligjor për të votuar.

Nga ana e saj, 23 vjeçarja nga Arbria e Drencisës, Serafina Demaku ka thënë se “Unë kandidoj për zgjedhjet parlamentare 2019 për një politikë që e merr seriozisht mbrojtjen e klimës dhe angazhohet për një transport publik falas. Një politikë që angazhohet për një sistem ekonomik, ku njerëzit dhe mjedisi vlejnë më shumë se paratë dhe përfitimet. Për një politikë që krijon strehim të përballueshëm për të gjithë.”

Ndërsa 36 vjeçarja Ina Rexhepi shprehet, “Secili kërkon një jetë më të mirë për vete, për familjen dhe fëmijët e tij. Nëse dëshirojmë të bëjmë ndryshim, atëherë duhet të votojmë, sepse vetëm duke votuar mund të bëhemi pjesë e ndryshimit”.

Të fundit