Flash News

KRYESORE

Avokati i shtetasit turk të deportuar: Kërkoi azil, por autoritetet shqiptare e refuzuan

Avokati i shtetasit turk të deportuar: Kërkoi azil, por autoritetet

Avokati i shtetasit turk Harun Çelik, që u deportua nga policia shqiptare në Turqi tha se ndaj klientit të tij janë shkelur ligjet, e kërkoi hetim nga prokuroria.  Ai tregoi se mësuesi 42 vjeçar, pjesëtar i lëvizjes Gylen në Turqi kishte kërkuar azil, por kjo i ishte mohuar nga autoritetet shqiptare.

“Për një akt dëbimi, që ndërmerret ndaj një shtetasi të huaj, jepet një urdhër dëbimi. Ky urdhër shoqërohet me një afat për t’u larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë. Më pas personi mund ta kundërshtojë këtë akt në gjykatën administrative, ndaj është gjykata që e vendos nëse urdhëri është i ligjshëm apo i paligjshëm” - tha avokati Alban Bengasi për “Zërin e Amerikës”.

Çelik u kap në aeroportin e Rinasit me dokumente false duke udhëtuar drejt Kanadasë dhe bëri disa muaj dënim në paraburgim. Ai po tentonte të arratisej pasi tha se në Turqi i rrezikohej jeta.

“Harun Çelik u ka kërkuar zyrtarëve azil politik por kjo i është refuzuar nga autoritetet e policisë së burgjeve.”, tha Bengasi.

Kurse zëdhënësi i policisë, Gent Mullaj sqaroi për “Zërin e Amerikës” se “ky shtetas ishte i dënuar dhe të mërkurën doli nga burgu... Në bazë të ligjit për të huaj, janë bërë procedurat ligjore për largim nga Shqipëria”.

Por ai pyetjes nëse Harun Çelik kishte kërkuar strehim e mbrojtje nga Shqipëria si një veprimtar politik i rrezikuar në atdheun e tij në Turqi, iu përgjigj se “nuk kishte informacion tjetër”.

Të fundit