Flash News

KRYESORE

“Azil-azil”/ Thirrjet e mësuesit turk përpara se Policia e Shtetit ta hipte në avionin “Air Albania”

“Azil-azil”/ Thirrjet e mësuesit turk përpara se Policia e

Më 1 janar, në një ditë pushimi në Tiranë, Policia e Shtetit nisi drejt Turqisë 42 vjeçarin turk Harun Çelik, i cili kërkohej nga autoritetet turke pasi akuzohet si pjesë e lëvizjes Gylen.  Por ky operacion nga uniformat blu ka ngjallur mjaft dyshime, ndërkohë që nga Bashkimi Evropian janë shtuar zërat të cilët kërkojnë hetim të hollësishëm për ligjshmërinë e procedurave.

Autoritetet shqiptare argumentojnë se mësuesi turk nuk kishte bërë kërkesë zyrtare për azil, ndëkrohë që dëshmitarët tregojnë për “Birn” se ai kur po dërgohej drejt aeroportit bërtiste “Azil-azil”.

Pala mbrojtëse gjithashtu akuzoi autoritetet shqiptare se nuk ia morën parasysh kërkesën për azil Çelikut.

Një shtetas turk, ndjekës i të gjitha lëvizjeve të Çelik nga burgu deri në aeroport, e përshkruan skenën përballë Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Laprakë.

“Ai filloi të bërtiste azil-azil dhe nuk pranoi të hipte në makinë. Dy policë e kapën nga krahët dhe e kthyen sërish brenda në polici. Kur e morën kështu, i ranë këpucët në tokë,” shtoi dëshmitari me duart që i dridheshin. Ende i frikësuar, ai kërkoi që të mos përdorej asnjë detaj që mund ta identifikonte.

Më parë, Çelik u shoqërua sipas dëshmitarëve në ambasadën turke, ku firmosi dokumente pa avokat e pa përkthyes.

Mbrojtësit e Çelikut, Elton Hyseni dhe Alban Bengasi si dhe simpatizantë të lëvizjes Gylen në Tiranë akuzojnë policinë se ka kryer deportim të paligjshëm dhe në shkelje të konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu i hodhi poshtë akuzat.

“Nuk ka pasur asnjë kërkesë formale për azil dhe ai i firmosi vetë formularët për t’u kthyer në Turqi,” tha Veliu, pa i dhënë përgjigje pyetjes nëse Çelik ishte asistuar me përkthyes dhe avokat gjatë firmosjes së formularëve.

Ai pranoi gjithashtu se para deportimit, policia e shoqëroi Çelikun në ambasadën turke në Tiranë për ta pajisur me leje kalimi, ndërsa shtoi se nuk ishte punë e tij që të verifikonte nëse personit i cënohej jeta apo kishte rrezik në vendin ku po dërgohej.

Pyetjes nëse ishte konsideruar kërkesa verbale për azil në momentet e fundit, Veliu u përgjigj “kjo nuk është një lojë ngriva-shkriva”.

Në orën 20:55, Çelik u detyrua të hipë në avionin e linjës “Air Albania”, një nga kompanitë simbol të bashkëpunimit mes qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe asaj të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan.

Të fundit