Flash News

KRYESORE

Ballkani Perëndimor hesht për Katalonjën; Daçiç akuza Kosovës, asnjë reagim në Tiranë dhe Prishtinë

Përveç Serbisë, asnjë shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor nuk ka mbajtur ende asnjë qëndrim zyrtar për shpalljen e pavarësisë së Katalonjës. Shumica e shteteve në të gjithë botën janë shprehur kundër pavarësisë dhe i kanë dhënë mbështetje Spanjës.

Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina dhe Kroacia nuk kanë treguar ende pozicionin që do të mbajnë, ndërkohë që vendet e tjera të Evropës Juglindore janë pozicionuar.

Rumania, Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Turqia janë shprehur kundër shkëputjes së Katalonjës, të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Italia me vendet e tjera kryesore të BE-së.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Sllovenisë është shprehur se mbështet të drejtën e kombeve për vetëvendosje, por nuk e ka zyrtarizuar njohjen e pavarësisë së Katalonjës.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç e ka shfrytëzuar këtë moment për të sulmuar sërish pavarësinë e Kosovës.

“Rruga e Kosovës dhe Katalonjës është e njëjtë, i vetmi problem në këtë çështje është se fuqitë e mëdha nuk e mbështesin Katalonjën, ndërsa në rastin e Kosovës interesat ishin të ndryshme. Bota nuk mund të bazohet në pëlqimin e shteteve të mëdha, duhet të bazohet në të drejtën ndërkombëtare”, ka deklaruar Daçiç.

Të njëjta deklarata, Daçiç i bëri edhe pas referendumit të zhvilluar në fillim të muajt në Katalonjë, por Tirana dhe Prishtina reaguan duke mohuar ngjashmërinë midis dy rasteve.

Shqipëria dhe Kosova ndërkohë po qëndrojnë në heshtje si për vendimin e Parlamentit katalanas, ashtu edhe për deklaratat e Daçiç.

Në një intervistë për italianen ‘La Repubblica’, ku ndër të tjera u pyet edhe për referendumin në Katalonjë, kryeministri Edi Rama u shpreh: “Nuk më pëlqen kur dikush nga jashtë flet për punët e një vendi tjetër. Por sigurisht preferoj proceset politike që bashkojnë, që afrojnë”.

Të fundit