Flash News

KRYESORE

Balluku në "Forumin Global të Energjisë": Qëndrojmë në krah të partnerit tonë strategjik, SHBA-së

Balluku në "Forumin Global të Energjisë":

'Forumi Global i Energjisë' është një nga eventet më të rëndësishme botërore në këtë fushë. Ky forum i organizuar nga Atlantic Council, mbledh përfaqësues të nivelit të lartë, me ndikim në politik bërje dhe vendimmarrje. Dhe ka për synim shkëmbimin e eksperiencave dhe krijimin e partneriteteve të reja në fushën energjetike, për hartimin e strategjive rajonale dhe globale si dhe ndërtimin e bazës rregullatore në sektorët e ndryshëm energjetik.

Në forumin e organizuar në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe ka marrë pjesë edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Gjatë fjalës së saj Ministrja Balluku vlerësoj rolin e rëndësishëm që Atlantic Council ka në gjenerimin e ideve të reja për zhvillim.

"Shqipëria, ndonëse një vend i vogël, ka pasuri të konsiderueshme nëntokësore, veçanërisht në naftë. Vitet e fundit disa nga emrat më të mëdhenj të industrisë operojnë në upstream, në vendin tonë dhe të tjera kanë shprehur interes. Ndërkohë përsa i përket sektorit të përpunimit dhe shpërndarjes së naftës, duke konsideruar volumin që zë në treg, si dhe sfidat unike që paraqet, qeveria shqiptare ka parashikuar dhe do të implementojë një strategji afatgjatë për disiplinimin dhe mbarëvajtjen e këtij sektori me ndikim të ndjeshëm në financat e shtetit dhe ekonominë vendase. Sistemi i ri " Track & Trace", bazuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare, do të jap zgjidhjet e munguara si dhe rezultate të ndjeshme dhe të menjëhershme", u shpreh Balluku.

Balluku, gjithashtu referoi qëndrimin e qeverisë për zhvillimet e fundit, duke përsëritur dhe një herë se partneriteti me SHBA është vendimtar dhe jetik për Shqipërinë.

"Për ne shqiptarët është e thjeshtë, ne nuk kemi asnjë dilemë, ne qëndrojmë në krah të partnerit tonë strategjik, SHBA. Historia na ka treguar se kush janë miqtë e vendit tonë, na ka mësuar përmes vështirësive se kush ruan vlerat e demokracisë, e kush është shembull i shtetformimit, ndaj ne me mirënjohje të plotë, qëndrojmë në krah të miqve tanë. Nëse qëndrojmë të gjithë bashkë, kështu siç jemi sot, nëse kemi ide të qarta e si rrjedhojë plane të qarta për arritur objektivat tanë si: mbrojtja e demokracisë, pavarësia dhe siguria energjetike si dhe krijimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike për të gjithë vendet tona, vetëm atëherë do të jemi të fortë mjaftueshëm për të përballuar çdo sfidë", theksoi ministrja Balluku.

Gjatë forumit të Këshillit Atlantik, Ministrja Balluku zhvilloi një takim me Gjeneralin James Jones, ish Komandant Suprem i Forcave të NATO për Europën dhe njëkohësisht themelues i nismës “3 Seas”. Temat kryesore të diskutimit mes tyre ishin ngjarjet aktuale, siguria energjetike dhe ajo kibernetike. Gjenerali Jones i shprehu Ministres Balluku gatishmërinë për të mbështetur nismat e rëndësishme të qeverise shqiptare në fushën energjetike dhe atë të teknologjisë së komunikimit, duke vlerësuar rolin vendimtar të Shqipërisë në rajon.

Të fundit