Flash News

KRYESORE

Bardhi: Rasti i Shkodrës tregoi se vetëm PD po i bën qëndresë kapjes së shtetit

Bardhi: Rasti i Shkodrës tregoi se vetëm PD po i bën

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se rasti i Shkodrës i dha të drejtë opozitës dhe se në Shqipëri do të ketë zhvillim e normalitet, vetëm pasi të largohet Edi Rama. Në një status në Facebook, ai shkroi se përballë presionit të opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtarë, pasi konfirmoi edhe njëherë, në mënyrë të përsëritur, se pushteti i tij mbijeton vetëm për shkak të lidhjeve me krimin, kryeministri urdhëroi drejtuesin e tij politik në Shkodër të tërhiqej.

"Dorëzimi i Edi Ramës në Shkodër është një provë tjetër se Partia Demokratike është sot i vetmi institucion që po i bën qëndresë kapjes totale të shtetit dhe ekonomisë nga krimi. Çdo shqiptar e di se, njësoj si Arben Ndoka, Elvis Roshi, Mark Frroku, Armando Prenga e shumë të tjerë, edhe përfaqësuesi i Edi Ramës në Shkodër, përdori paratë e trafikut të drogës për të hyrë në politikë nëpërmjet Edi Ramës.", shkroi Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së shtoi se largimi i Valdrin Pjetrit, i dënuar për trafik droge në Itali, nuk është një reflektim, as personal dhe as politik i tij apo i Ramës.

"Largimi i tij vjen me të njëjtën formë mashtrimi si ajo e kriminelëve të tjerë që ranë në rrjetën e dekriminalizimit, Elvis Roshi, Arben Ndoka, etj. Largimi i tyre është meritë vetëm e Ligjit të Dekriminalizimit dhe betejës së Partisë Demokratike për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin e organizuar. Është meritë e qendresës së palëkundur të Partisë Demokratike, opozitës dhe opinionit publik, që disa kriminelë janë sot jashtë politikës.

Por, fatkeqësisht, fenomeni i kriminalizimit të shtetit vazhdon të qëndrojë, sa kohë arkitekti i lidhjes krim-politikë është Kryeministër. Asgjë nuk do të ndryshojë, as për Shkodrën dhe as për Shqipërinë, deri kur koka e krimit në politikë dhe ekonomi të jetë prerë, duke larguar Edi Ramën nga drejtimi i qeverisjes së vendit."

Bardhi mendon se Rasti i Shkodrës provoi edhe njëherë se kauza e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme, pa përfshirjen e krimit të organizuar dhe parave të pista të krimit e korrupsionit, është e duhura dhe rruga e vetme për një qeverisje të mirë në shërbim të qytetarëve dhe jo bandave.

"Pa shkëputjen totale të lidhjes së politikës me krimin dhe pa garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, për shqiptarët nuk do të ketë mirëqenie, ndërsa vendi do të mbetet i izoluar, jashtë Bashkimit Evropian. Beteja jonë vazhdon derisa ëndrra për Shqipërinë si gjithë Evropa të jetë realitet për çdo shqiptar." përfundoi ai.

Të fundit