Flash News

KRYESORE

Basha: BE nuk i dha asnjë qindarkë Ramës si ndëshkim për lidhjet me krimin, rrezikojmë izolimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka një shpjegim se përse Shqipëria nuk mori asnjë qindarkë nga fondet e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Sipas kreut të opozitës, kjo ndodhi sepse unioni nuk mund të japë para një qeverie të lidhur me krimin e organizuar.  Në një status në Facebook, Basha shkruan se në këtë mënyrë u ndëshkua Edi Rama.

“Shqipëria është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk përfitoi asnjë qindarkë nga 180 milionë eurot që Bashkimi Europian u dha vendeve të Ballkanit për projekte kombëtare infrastrukturore, për vitin 2019.

Është ndëshkim i qëllimshëm kundër një qeverie të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Është vazhdim i qëndrimit të prerë të vendeve të Bashkimit Europian për të mbajtur Shqipërinë jashtë çdo procesi afrimi për aq kohë sa në pushtet është Edi Rama. Qeveria Rama është e vetmja qeveri në 30 vjet tranzicion që nuk ka bërë asnjë hap të vetëm në procesin e integrimit evropian.”, shkroi Basha.

Lideri i PD-së është i shqetësuar se nga e gjithë kjo situatë po e pësojnë shqiptarët.

“Fatkeqësisht izolimi ndërkombëtar që po i bëhet qeverisë Rama po sjell pasoja direkte për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët po ndëshkohen për shkak të Edi Ramës dhe lidhjeve të tij me krimin. Prandaj largimi i Ramës është një arritje që do të përmirësojë jetën e çdo shqiptari.”, përfundoi ai.

Të fundit