Flash News

E-TJERA

Basha bën publike detaje të reja nga afera “CEZ”: Mafia ndërkombëtare vodhi shqiptarët, influencë deri në Bruksel

Basha bën publike detaje të reja nga afera “CEZ”: Mafia

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë të ditur sot detaje të reja nga ajo që ai konsideron afera e ‘CEZ’. Duke folur nga çadra para Kryeministrisë, Basha u shpreh se dy mafie i vodhën shqiptarëve 650 milionë euro.

Sipas kreut të PD-së, kryeministri Edi Rama në bashkëpunim me mafien ndërkombëtare zhvatën qindra miliona euro që duhet të ishin në arkën e Shqipërisë. Ai theksoi se në këtë aferë kanë bashkëpunuar edhe njerëz të fuqishëm me influencë të madhe në Bruksel.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Afera me CEZ është afera më e madhe financiare në historinë e shtetit shqiptar. E dëgjuat me fakte sesi dy mafie bashkëpunuan për të vjedhur popullin më të varfër të Europës. Kjo është mafia e Ramës, e cila në bashkëpunim me mafian ndërkombëtare zhvatën qindra miliona euro të qytetarëve shqiptarë. Para që duhet të ishin në arkën e shtetit shqiptar nga CEZ nuk erdhën kurrë sepse këto para u ndanë mes mafies ndërkohmëbtare dhe bashkëpunëtorit në Shqipëri.

Njerëz të fuqishëm me influencë në Bruksel ishin pjesë e këtij pakti mafioz. Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj afere dhe do të zbardhim gjithçka. Përgjegjësit do të shkojnë përpara drejtësisë së vërtetë dhe jo drejtësisë alla Shullaz dhe Armando Prenga.

Nuk na duhet dhe nuk do të pranojmë kurrë një drejtësi të kapur nga Edi Rama dhe armiqtë tanë. Le ta dëgjojnë ata që na kanë ndihmuar në proceset euro-atlantike dhe ata që vjedhin paratë e shqiptarëve. Jemi këtu për të garantuar paktin e 22 korrikut, i cili është dhunuar në mënyrë të njëanshme nga hajduti i CEZ.

Mediat e blera me paratë e drogës dhe korrupsionit i kanë shpallur luftë popullit shqiptar dhe aspiratës për zgjedhje të lira.

Ka vetëm dy rrugë: Rruga e parë që dëshirojnë armiqtë e shqiptarëve që ne të tërhiqemi dhe të pranojmë vjedhjet e Ramës. Rruga tjetër, rruga që ju keni zgjedhur tash e 38 ditë, rruga që unë kam zgjedhur dhe nuk do t’i ndahem deri në fund, është rruga e fitores.

Të fundit