Flash News

KRYESORE

Basha dhe Vasili përshëndesin dëbimin e dy diplomatëve iranianë: Të luftohet edhe krimi i organizuar brenda vendit

Basha dhe Vasili përshëndesin dëbimin e dy diplomatëve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur mbështetjen për vendimin e Qeverisë për të shpallur ‘non grata’ dy diplomatë iranianë, të cilët kishin vënë në rrezik sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

“Në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare, shpreh mbështetjen për shpalljen “non grata” dhe dëbimin e diplomatëve iranianë, me veprimtari në cenim të “statusit të diplomatit” dhe që vë në rrezik Sigurinë Kombëtare. Partia Demokratike kërkon prej strukturave shtetërore të Sigurisë Kombëtare, përkushtim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim të sinqertë e pa zvarritje me aleatët strategjikë si e vetmja garanci për parandalimin dhe neutralizimin e aktiviteteve te tilla ne territorin e RSH”, thuhet në reagimin e Bashës.

Gjithsesi, Basha paralajmëron se lufta kundër terrorizmit mund të komprometohet për shkak të bashkëjetesës shtetërore me krimin e organizuar.

“Lufta kundër terrorizmit si formë e krimit të organizuar ndërkombëtar, kompromentohet kur ngjashëm nuk zhvillohet luftë pa kompromise ndaj krimit të organizuar brenda vendit. Çdo bashkëjetesë shtetërore me krimin e organizuar është kompromentim i luftës ndaj terrorizmit”, shprehet kreu i opozitës.

Për të njëjtën ngjarje ka reaguar edhe Petrit Vasili, kreu i grupit parlamentar të LSI-së. Vasili mban të njëjtën linjë me Bashën kur përshëndet dëbimin e diplomatëve, por edhe kur paralajmëron për krimin në zyrat e shtetit.

“Largimi i ambasadorit iranian, ndonëse pozitiv, është veprim shumë i vonuar dhe i pasinqertë. Duket një veprim i imponuar e jo një vullnet i qeverisë, pasi indiciet e qarta të veprimeve terroriste nuk kanë munguar edhe kohë më parë. Jemi të gjithë kundra terrorizmit dhe çdo veprim kundra tij është një veprim jetik për konsolidimin e demokracisë. Po ashtu duhet vepruar me forcë kundër terrorizmit shtetëror, që grabit paratë te unaza e re, që mashtron për hir të vjedhjes deri në Amerikë, që i lejon hajdutët e qeverisë të rrinë në zyra dhe jo në burg”, deklaron Vasili.

Të fundit