Flash News

KRYESORE

Basha flet pas takimit me Metën, por nuk jep datë: Shqiptarët kërkojnë zgjedhje sot, jo nesër

Basha flet pas takimit me Metën, por nuk jep datë: Shqiptarët

Kreu i PD, Lulzim Basha deklaroi pas takimit konsultativ me presidentin Ilir Meta për datën e zgjedhjeve 2021 se ‘shqiptarët kërkojnë zgjedhje sot, jo nesër’.

"Shumica absolute e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje sot, jo nesër. Ata duan zgjidhje sepse janë të lodhur nga propaganda, nga dështimet dhe mashtrimet.  Qytetarët kanë nevojë urgjente për punë.  Biznesi ka nevojë urgjente për mbështetje.  Mjekët, infermierët kanë nevojë për rritje pagash, për kushte dinjitoze për t’u përballur me kolapsin e sistemit shëndetësor i cili është bërë edhe më i dukshëm prej pandemisë. Fermerët kanë nevojë për subvencione, kanë nevojë për treg shitje.

Të rinjtë kanë nevojë për mundësi për arsimim dhe punësim që të qëndrojnë, dhe të jetojnë e të ndërtojnë jetën e tyre këtu në Shqipëri. Pensionistët kanë nevojë për rritje reale, jo elektorale të pensioneve. Pra, shumica absolute e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje dhe zgjidhje sot, jo nesër.

Për ne e rëndësishme është që procesi të jetë i lirë dhe i ndershëm.  Dhe për ta mbyllur me fjalët e Nënë Terezës meqë nesër ka edhe ditën e Shenjtërimit, “E djeshmja ka shkuar. E nesërmja nuk ka ardhur akoma. Prandaj le të fillojmë të punojmë menjëherë për të sotmen dhe për të nesërmen, duke filluar sot të punojmë për ndryshimin", u shpreh Basha.

Ndërsa Basha nuk foli për një datë konkrete, nga ana tjetër, përfaqësues të partive opozitare sot kanë kërkuar te presidenti 18 prillin si datën më të mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa PS më herët ka kërkuar 9 majin.

Të fundit