Flash News

KRYESORE

Basha flet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme: Nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimet tona

Basha flet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme: Nuk ka

Kreu i PD, Lulzim Basha tha se nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimin e shprehur edhe më parë për nevojën e vendit për zgjedhje të parakohshme, ndërsa PS deklaroi përmes Taulant Ballës dy ditë më parë se zgjedhje do ketë në 2021.

Pas një takimi me ambasadorin e BE Luigi Soreca në selinë blu, Basha tha se beteja është të zhvillohen sa më shpejt, si rruga e vetme për të ndalur krizën politike në vend.

“Gjithë beteja jonë është që zgjedhjet e parakohshme të bëhen sa më shpejt dhe shqiptarëve tu rikthehet mundësia të zgjedhin me votë institucionet e tyre, duke filluar me parlamentin, me bashkitë e vendit. Kjo është rruga e vetme për të ndalur krizën politike, për të ndalur gremisjen e vendit. Për ti dhënë mundësinë shqiptarëve të zgjedhin qeverisjen e tyre, një qeverisje që tju shërbejë dhe t’ju ofrojë më shumë mundësi ekonomike, punësimi, që të rinjtë të rrinë e të ndërtojnë jetën e tyre këtu e jo të largohen. Gjithçka që po shohim sot në këtë vend, bjerrja e shpresës, kriza ekonomike, është produkt i krizës politike, të cilës në fakt emrin ia ka vënë vet i pari qeverisë. Kriza politike është krijuar pikërisht nga mentaliteti i KÇK-së. Sepse KÇK-ja në Shqipëri është qeveria, është kryeministri dhe veglat e tij në pushtet”, tha Basha.

I pyetur nëse pranon PD zgjedhje vendore pa zgjedhje parlamentare të parakohshme, Basha tha se asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimet e mëparshme.

“ Zgjedhjet e parakohshme parlamentare  në një ditë me zgjedhjet vendore kushtetuese, nuk janë çështje dëshire. Ju e patë raportin e ODIHR? Ju e shikoni situatën në bashkitë e vendit! I shikoni kryebashkiakët me rekorde kriminale?! Falimentimin total të pushtetit vendor?! Dorëzimin total të shtetit para krimit, para padrejtësisë, papunësisë, krizën ekonomike?! Pra, nuk është lista e dëshirave të Lulzim Bashës apo të Partisë Demokratike. Është thirrja e çdo shqiptari që ta nxjerrim vendin nga kjo krizë, që të bëhemi bashkë për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë. Dhe kjo kalon vetëm duke i dhënë mundësinë shqiptarëve të zgjedhin qeverinë, parlamentin dhe kryebashkiakët që duan ata të zgjedhin, në një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor. Kjo është beteja. Pa u zgjidhur kjo, vendi nuk do të bëjë dot përpara”, u shpreh kryedemokrati.

Basha bëri të ditur se kriza politike dhe integrimi europian i vendit ishin në fokus të takimit me ambasadorin Soreca, me të cilin kanë diskutuar gjerësisht edhe për reformën zgjedhore.

Të fundit