Flash News

KRYESORE

Basha ‘hap letrat’ dhe e vendos Ramën para përgjegjësisë: Shqipëria në Europë? Arresto këta 3 politikanë

Basha ‘hap letrat’ dhe e vendos Ramën para

Lojë me letra të hapura mund të konsiderohet lëvizja e fundit e kryeopozitarit Lulzim Basha, i cili ka nisur një tur takimesh në të gjithë vendin për protestën 27 janarit. Ndërkohë që qeveria dhe mazhoranca kërkojnë që opozita të mos bojkotojë punimet e Kuvendit dhe të mos tensionojë klimën politike, pasi kjo sipas tyre mund të rrezikojë hapjen e negociatave, Basha ia ka bërë sot të qartë kryeministrit Edi Rama koston që duhet të paguajë për të gjetur mirëkuptimin e demokratëve dhe të LSI-së. Kjo kosto përmban tre emra: Saimir Tahiri, Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini.

“Pa arrestimin e peshqve të mëdhenj të krimit dhe korrupsionit nuk ka Europë. Dhe se kjo parti ka lindur për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Kjo është një arsye kryesore dhe një nga arsyet më të mëdha përse do të mblidhemi më 27 janar në orën 12.00 të shtunën, për t’i thënë Edi Ramës, se Partia Demokratike, do drejtësi, se ne duam Sajmir Tahirin në burg, Vangjush Dakon në burg, Qazim Sejdinin në burg. Duam ministrat e tij të korruptuar përpara drejtësisë”, ka deklaruar Basha në një takim me banorët e Kurbinit.

Ndonëse ish-ministri i Brendshëm dhe dy kryebashkiakët e Durrësit dhe Elbasanit kanë qenë gjatë gjithë kohës nën akuzat e opozitës dhe kërkesës së saj që ata të përballen me drejtësinë, kjo është hera e parë që kreu i PD-së, Lulzim Basha artikulon qartë se kërkon arrestimin e tyre dhe jo thjesht hetime. Gjithashtu, këta tre politikanë Basha i ka veçuar nga ministrat e qeverisë, për të cilët nuk kërkon burg por dalje përpara drejtësisë. Ai nuk ka përmendur as emrat e ministrave, ndryshe nga më parë kur nuk ka hezituar të lëshojë akuza direkte ndaj Arben Ahmetajt, Damian Gjiknurit, Blendi Klosit apo Fatmir Xhafajt.   

Objektivi i opozitës së Bashës tashmë i qartë, por mbetet për t’u parë nëse Edi Rama do e marrë përsipër këtë kosto të lartë politike për të ndihmuar në hapjen e negociatave me BE-në.

Të fundit