Flash News

KRYESORE

Basha inspektim në Durrës: Banorët të pasigurt, pallatet të vlerësohen sa më shpejt

Kryetari i PD-së Lulzim Basha u takua me dhjetëra familje të një pallati të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Banorët shprehën shqetësimin e tyre për situatën, ndërsa kreu i opozitës i bëri thirrje autoriteteve që sa më parë të bëhet verifikimi i ndërtesave.

Dhe kjo sepse në qytetin bregdetar, banorët kanë ditë të tëra që flenë me fëmijët në çadra ose makina, pasi ndihen të pasigurt.

Ata i thanë Bashës se askush nuk është interesuar dhe se kur kanë kërkuar sqarime në bashki, nuk kanë gjetur përgjigje. Gjithashtu, ankesa patën edhe për mungesën e ndihmave në këto ditë të vështira për ta.

Kreu i PD-së u shpreh se qeverisja lokale dhe qendrore e ka për detyrë t’u vijë në ndihmë dhe t’u përgjigjet qytetarëve në çdo kohë, tani më shumë se kurrë.

“Vlerësimi i pallateve dhe shtëpive është i domosdoshëm dhe duhet të kryhet pa vonesa. Për këtë arsye qeveria duhet të angazhojë pa humbur kohë inxhinierët që janë të gatshëm të kontribojnë. Organizimi dhe autorizimi shtetëror i një kontigjenti prej 500 inxhinierësh të gatshëm të angazhohen, do të mundësonte përfundimin pa sorollatje të vlerësimit të çdo objekti të dëmtuar nga tërmeti, në mënyrë që qytetarëve tu jepet qartësi dhe siguri.”, u shpreh Basha.

Të fundit