Flash News

KRYESORE

Basha komenton ministrat e rinj: Të paaftë, anonimë dhe thellësisht të korruptuar; lëvizjet treguan degradimin e PS-së

Basha komenton ministrat e rinj: Të paaftë, anonimë dhe

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka komentuar lëvizjet e bëra nga kryeministri Rama në kabinetin qeverisës. Basha është ndalur fillimisht tek ministrat të cilët u larguan, të cilët i cilësoi si njerëz të korruptuar dhe të inkriminuar.

“Edi Rama sot mund të kishte vendosur ministër shoferin e tij dhe parukieren e tij dhe nuk ka kush ta ndal. Më lejoni ta them fare qartë, ministrat e larguar janë njerëz të korruptuar dhe të inkriminuar. Largimi i tyre nuk mjafton, ata duhet të dalin para drejtësisë”, tha Basha.

Për emrat e rinj Rama vendosi t’i bëjë pjesë të kabinetin qeverisës, Basha theksoi se janë të paaftë, anonim dhe disa prej tyre thellësisht të korruptuar.

“Në këtë kuptim ajo që u ka ofruar shqiptarëve është një përzierje njerëzish të paaftë, anonim dhe disa madje thellësisht të korruptuar. Por roli i këtyre njerëzve nuk është gjë tjetër veçse të shërbejnë si fasada e qeverisjes së Edi Ramës me oligarkët dhe me përfaqësuesit e krimit të organizuar. Dhe në këtë kuadër e ka më të lehtë që vendimet që i merr bashkë me oligarkët dhe me kriminelët t’i vulosin pikërisht ky grup njerëzish pa asnjë profil apo përgjegjësi politike por siç e thashë, anonim, të paaftë dhe disa thellësisht të korruptuar të njohur si njerëz të zhytur në afera korruptive”, deklaroi Basha.

Ndryshimet e sotme në qeveri, për kreun demokrat, tregojnë degradimin e Partisë Socialiste. “Sot pamë një grup njerëzisht të cilët nuk kanë asnjë rol tjetër përveçse të duartrokasin sjelljen e Edi Ramës me këtë parti si një plaçkë private. Ajo është kthyer në një plaçkë të Edi Ramës që ai e përdor për të marr vendime që i shërbejnë vetëm atij dhe njerëzve me të cilët ai grabit Shqipërinë, oligarkët dhe kriminalët”, u shpreh Lulzim Basha.

Prononcimi i plotë i Lulzim Bashës

Ndryshimet në qeveri janë një tallje e madhe me shqiptarët. Pasi i ka braktisur dhe nëpërkëmbur për pesë vite me radhë Edi Rama ka bërë sot sjelljen më të pa pranueshme, talljen me shqiptarët duke i cilësuar si njerëz të padenjë duke treguar se ai vendos kë të dojë dhe nuk ka kush ta ndalojë.

Edi Rama sot mund të kishte vendosur ministër shoferin e tij dhe parukieren e tij dhe nuk ka kush ta ndal. Më lejoni ta them fare qartë, ministrat e larguar janë njerëz të korruptuar dhe të inkriminuar. Largimi i tyre nuk mjafton, ata duhet të dalin para drejtësisë.

Por me aktin e sotëm, Edi Rama dëshmoi se ai nuk ka nevojë për ministra. Ai qeverisë direkt me oligarkët dhe me krimin. Me ta ai përcakton sesi grabiten pasuritë dhe paratë e shqiptarëve, me ta ka qeverisur këto pesë vite, me ta do të vazhdojë të qeverisë.

Në këtë kuptim ajo që u ka ofruar shqiptarëve është një përzierje njerëzish të paaftë, anonim dhe disa madje thellësisht të korruptuar. Por roli i këtyre njerëzve nuk është gjë tjetër veçse të shërbejnë si fasada e qeverisjes së Edi Ramës me oligarkët dhe me përfaqësuesit e krimit të organizuar. Dhe në këtë kuadër, e ka më të lehtë që vendimet që i merr bashkë me oligarkët dhe me kriminelët t’i vulosin pikërisht ky grup njerëzish pa asnjë profil apo përgjegjësi politike por siç e thashë, anonim, të paaftë dhe disa thellësisht të korruptuar të njohur si njerëz të zhytur në afera korruptive.

Ndryshimet në qeveri tregojnë degradimin e plotë të Partisë Socialiste. Sot pamë një grup njerëzisht të cilët nuk kanë asnjë rol tjetër përveçse të duartrokasin sjelljen e Edi Ramës me këtë parti si një plaçkë private. Ajo është kthyer në një plaçkë të Edi Ramës që ai e përdor për të marr vendime që i shërbejnë vetëm atij dhe njerëzve me të cilët ai grabit Shqipërinë, oligarkët dhe kriminalët.

Ndryshimet në qeveri në vetvete tregojnë gjendjen e rënduar psikike të Edi Ramës, i degraduar nga veset, i paralizuar nga paaftësia totale, i mbushur me urrejtje për njerëzit dhe i krimbur nga paratë që ka vënë, ai po sillet siç sillen njerëzit e degraduar kur po i vjen fundi. Po bën aktet e një të marri. Asnjë nga këto nuk e fsheh dot një të vërtetë të thjeshtë që çdo shqiptar tashmë e ka kuptuar, peshku është qelbur nga koka.  

Të fundit