Flash News

KRYESORE

Basha mbledh nesër Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar, pritet miratimi i Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve për deputetë

Basha mbledh nesër Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar, pritet

Partia Demokratike do vazhdojë të jetë aktive edhe në muajin gusht pasi po vijojnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, finalizimin e programit qeverisës dhe përgatitjes së strukturave për zgjedhjet.

Nesër paradite demokratët do të mbledhin forumet më të larta vendimmarrëse, Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar të PD, të cilët do të vendosin për ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve. Komisioni do të ketë 5 persona në përbërjen e tij dhe do të asistohet nga Sekretariati ndihmës i Komisionit i përbërë nga dy persona.

Komisioni i Vlerësimit do të bëjë seleksionimin e kandidatëve të propozuar për deputetë. Për Politiko, burime pranë PD-së shprehen se deri tani janë zbuluar emrat e dy prej themeluesve të PD, Genc Rulit dhe Besnik Mustafajt, të cilët do të jenë pjesë e këtij procesi unik, që ndodh për herë të parë në Shqipëri. Instituti Republikan Amerikan IRI, konservatorët britanikë, CDU dhe forcat politike të PPE që kanë ndihmuar PD për këtë proces, duan ta shndërrojnë atë në model të demokratizimit të forcave politike për gjithë rajonin.

Propozimet e tjera ende nuk janë bërë publike, por Komisioni është konceptuar që të ketë në përbërje jo vetëm ish-drejtues të lartë të PD, por edhe personalitete të shoqërisë civile dhe medias, përfaqësues të botës akademike, etj.

Korpusi i njerëzve me influencë, me mbështetje, me aftësi në fusha të ndryshme, që do të përzgjidhen nga Komisioni, do t’i shkojnë më pas për votim anëtarësisë së Partisë Demokratike.

Nga procesi 6 javor i propozimit të emrave, janë identifikuar një numër i lartë kandidatësh në të 12 qarqet, ku bien në sy se, krahas emrave të njohur, ka shumë emra jashtë strukturave të partisë, kryesisht nga bota akademike dhe shoqëria civile. Sipas burimeve nga PD, interesi i demokratëve është identifikimi dhe përzgjedhja e ekipit më të mirë për të fituar zgjedhjet parlamentare dhe formuar qeverinë e re.

Të fundit