Flash News

KRYESORE

Basha me fermerët: Nuk premtoj mrekullira, subvencione sa jep Kosova dhe Maqedonia; 150 milionë euro në vit

Basha me fermerët: Nuk premtoj mrekullira, subvencione sa jep Kosova dhe

Me fermerët në zonën e Beratit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndau shqetësimin e braktisjes nga qeveria dhe rrugën e zgjidhjes. Mungesa e subvencioneve, çmimi i lartë i naftës dhe mungesa e infrastrukturës ishin tre shqetësimet kryesore të fermerëve, për të cilat Basha tha se zgjidhja është dhënë në programin e Partisë Demokratike.

“Në qoftë se nuk të rimburson psh plehun që të ta japë jo në atë kosto, plasmasin nuk ta jep, 20 përqindëshin ta ka hequr, çfarë ngeli për ne? Nëse do të ndiqet kjo, është shumë e afërt që këtu do të falimentojnë të gjithë, pa përjashtim”, u shpreh një prej feremrëve.

Në përgjigje të shqetësimit të tij, kreu i opozitës tha se nuk ka asnjë vend të Europës apo Ballkanit që bujqësia të funksionojë pa subvencione. Basha u shpreh se nuk premtonte mrekullia por subvencionime të paktën aq sa jep Kosova dhe Maqedonia, 150 milionë euro në vit.

“Nuk ka asnjë vend të Europës që bujqësia të funksionojë pa subvencione, as Ballkan. Ne s’themi se premtojmë mrekullira, por të paktën subvencione sa jep Kosova dhe Maqedonia do të japim. 150 milion euro në vit janë të domosdoshme që të paktën të ulin kostot e mekanikës apo, në rastin tuaj të plasmasit të serave, të pesticideve, të imputeve, fidanëve etj”, tha Basha.

Gjatë bashkëbisedimit me fermerët në Poshnjë, pronarë të disa serave, kreu i opozitës u shpreh se qeveria Rama punon për një grusht klientësh të saj dhe taksat e shqiptarëve shkojnë për të pasuruar këtë pakicë të koruptuar, duke ndarë me ta 2.2 miliardë euro.

“Me 2.2 miliard euro, ne mund të arrinim fare lehtësisht të shpërndanim 150 milion euro në vit për fermerët. Me 2.2 miliard euro ne mund të arrinim të rrisnim pensionet 30 përqind për gjithë shqiptarët.  Në vend që ndodhin këto dhe të ju prekin dhe të shpërndahet leku tek të gjithë shqiptarët, 10 veta marrin 2.2 miliardë euro dhe pjesa tjetër e popullit mbetet me gisht në gojë”, theksoi Basha.

Çmimi i rritur i naftës ishte një nga problemet kryesore të fermerëve, por kreu i opozitës i njohu ata me zgjidhjen që ofron Partia Demokratike, jo vetëm për fermerët, por për të gjithë ata që përdorin automjetet.

“Absolutisht për të gjithë vendin, hapi i parë do të jetë heqja e taksës Rama mbi naftën. Në momentin e parë që do të aplikojmë këtë masë, nafta do të jetë minimalisht 300 lekë më e lirë dhe pastaj do të ecim me hapa të tjerë me naftën bujqësore. Por, hapi i parë për të gjithë ekonominë do të jetë ulja e çmimit të naftës me 300 lekë”, u shpreh Lulzim Basha.

Që ky plan të konkretizohet, kreu i opozitës tha se duhet të ndryshohet gjendja politike.

“Pa ndryshuar gjendja politike, pa pasur një qeveri që e ka të lidhur fatin me ju dhe jo me banditët dhe kriminelët, mos prisni të ketë ndryshim as në tavolinën tuaj, as në xhepat tuaj, as në serat tuaja, as në arat tuaja. Një shprehje kam dëgjuar këto 3-4 javë që kam lëvizur: Na ka shkuar në palcë! Nuk ka pse të na shkojë në palcë. Ne jemi shumica, ju jeni shumica. Ejani ta marrim fatin tonë në duart tona!”, tha kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

 

 

Të fundit