Flash News

KRYESORE

Basha: Mua dhe Ramës na është bërë e qartë se negociatat nuk hapen. Fajtor kryeministri

Basha: Mua dhe Ramës na është bërë e qartë se

Kryeopozitari Lulzim Basha ka komentuar nga Fieri vendimin e Komisionit Evropian për të rekomanduar për herë të tretë hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Basha theksoi se atij, në cilësinë e kryetarit të opozitës, si dhe kryeministrit Edi Rama, u është bërë e ditur nga zyrtarët e Brukselit se negociatat nuk do të hapen në muajin qershor, pavarësisht rekomandimit pozitiv.

Sipas Bashës, për këtë ndëshkim të pamerituar për shqiptarët fajtor është kryeministri Rama.

“Në gjendjen aktuale, Këshilli Evropian do të votojë për mos-hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ky është ndëshkim i pamerituar dhe që ka një fajtor, Edi Ramën”, tha Basha përpara mbështetësve të PD-së.

Ne kemi luftuar çdo ditë për hapjen e negociatave, tha Basha, sepse kjo do të rriste kontrollin dhe llogaridhënien e çdo Qeverie, aq më shumë të një bande që i thotë vetes qeveri.

“Ne dëshirojmë që Shqipëisë t’i hapen sa më shpejt negociatat. Por ka tre vite që është refuzuar. Vendet e BE-së kanë raportet për zhvillimet në Shqipëri, të agjencive të tyre të ligjzbatimit, të agjencive ndërkombëtare për gjendjen e kriminalitetit, lidhjet e krimit me Qeverinë dhe për korrupsionin. Vendet e BE-së marrin vendime bazuar në këto raporte individuale”, u shpreh kreu i PD-së.

Për bllokimin e rrugës drejt BE-së, Lulzim Basha bëri përgjegjës kreun e Qeverisë, i cili i trembet ndëshkimit.

“Rama e ka frikë hapjen e negociatave. E di fare mirë se çfarë ka ndodhur në vendet ku janë hapur negociatat, kanë shkuar në burg pushtetarët që kanë abuzuar me pushtetin. Rama po bën gjithçka për ta shtyrë momentin kur Shqipëria do të hyj në Evropë”, tha ai.

Kryeopozitari Basha kërkoi gjithashtu nga Rama që t’i kërkojë ndjesë shqiptarëve për mashtrimin e vitit të kaluar, kur deklaroi se ishin hapur negociatat me Bashkimin Evropian.

“Rama duhet t’i kishte kërkuar ndjesë shqiptarëve për gënjeshtrën e një viti më parë. E mbani mend apo jo? Një vit më parë hapi shampanjën për të festuar hapjen e negociatave. Le t’ja kujtojmë çdo shqiptari që paguan për shpampanjën e Ramës. Një vit më parë u tha shqiptarëve se negociatat u hapën. Ja ku jemi pas 1 viti, negociatat nuk janë hapur. Progresi nuk është i mjaftueshëm. Më shumë kushte i janë shtuar Shqipërisë nga vendet anëtare që kanë parë aferat korruptive”, deklaroi ai.

Sa i përket krizës politike, Basha theksoi sërish se zgjidhja e saj fillon me largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Fierit që t’i bashkohen protestës kombëtare të 2 qershorit, për të kërkuar reformim të sistemit politik dhe kushtetues, që do t’i japë më shumë të drejta shqiptarëve dhe do të shtojë kontrollin ndaj partive dhe Qeverisë.

Të fundit