Basha në Mat: Koha kur Rama dhe horrat mbanin peng Shqipërinë mori fund

“Koha kur Rama dhe një grup horrash mbanin peng Shqipërinë mori fund.” Kështu u shpreh sot në Mat kryeopozitari Lulzim Basha teksa ftoi qytetarët t’i bashkohen protestës mbarëkombëtare të 25 majit.

“Një shoqëri e lirë, e përbërë nga njerëz të drejtë mund ta humb përkohësisht rrugën dhe kohën, por vjen momenti kur shoqëria ka nevojë të përballet me të keqen, të mund frikën dhe të gjejë kurajon që na bën njerëz që duam dinjitet dhe nuk pranojmë të shkelemi me këmbë. Kjo kohë ka ardhur për Shqipërinë. Ka ardhur ora dhe ne nuk do të bëjmë asnjë hap pas, vetëm përpara drejt rrugës që na çon tek vlerat evropiane, tek vlerat perëndimore me të cilat e nisëm këtë betejë në vitin 1990”, u shpreh kreu i PD-së.

Basha theksoi përpara mbështetësve se “largimi i Edi Ramës nuk negociohet”, ndërkohë që shprehu falënderim për aleatët ndërkombëtar që nuk i braktisën shqiptarët në këtë situatë të vështirë.

“Shqiptarët janë ngritur, shqiptarët nuk do e lejojnë”, tha Basha duke iu referuar zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, ku kryeministri Edi Rama kërkon të hyjë i vetëm pa arritur një marrëveshje me opozitën.