Flash News

KRYESORE

Basha nga Kruja: Rama të ikë dhe qeveri tranzitore, kështu bëhen zgjedhje të lira e të ndershme

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi nga Kruja se opozita do t’i shkojë deri në fund betejës për zgjedhje të lira e të ndershme. Si fillim, ai tha se duhet të ikë Edi Rama e të krijohet një qeveri tranzitore për të përgatitur zgjedhjet e përgjithshme, në një ditë me zgjedhjet kushtetuese vendore.

“Zgjedhjet nuk janë çështje datash, por standardesh. Dhe beteja për zgjedhje të lira nuk është kauzë partiake, por është betejë e çdo shqiptari. Zgjidhja nuk është "ik ti e te vi unë", por është beteja jetike për Shqipërinë e sotme dhe të nesërme, Shqipërinë e standardeve evropiane”- tha Basha në takimin me strukturat e PD në Krujë.

Ai shtoi se sakrifica e opozitës së bashkuar dhe e qytetarëve që e mbështetën atë u shpërblye në 30 qershor, me refuzimin plebishitar dhe mesazhit Rama Ik qe dhanë 85 për qind e shqiptarëve.

“Zgjidhja nis me dënimin e politikanëve të kapur në blerje votash dhe në bashkëpunim me krimin e organizuar për pushtetin dhe pasurinë e tyre.

Opozita e Bashkuar e nisi këtë betejë me një akt sakrifice që ishte dorëzimi i mandateve, dorëzimi i imuniteteve, i privilegjeve dhe i karrigeve të pushtetit për t’u rreshtuar në krah të qytetarëve. Treguam se rruga që nisëm ishte një rrugë sakrifice për interesin publik. Vendimi që morëm ktheu besimin tek njerëzit, se beteja që kemi nisur nuk ishte një betejë për karrige, siç përpiqej ta paraqiste Edi Rama”- u shpreh Basha.

Duke analizuar 30 qershorin si një refuzim të shumicës jo vetëm si një atentat ndaj demokracisë, kushtetutës dhe pluralizmit, por edhe si reagim i drejtpërdrejtë i refuzimit të varfërisë, papunësisë dhe gjendjes ekonomike, Basha shprehu vendosmërinë e PD për t’iu përgjigjur mesazhit të shqiptarëve për ndryshim.

“Përtej refuzimit të Edi Ramës, 30 qershori është një kushtrim, një kërkesë, një thirrje popullore për ndryshim ekonomik, ndryshim politik, për t’i dhënë fund krizës ekonomike, varfërisë, papunësisë, emigracionit që po e zbraz vendin. Kjo kërkesë i drejtohet Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar. Vetëm ne kemi forcën, vullnetin, vizionin, dhe, mbi të gjitha, kredon morale për të marrë përsipër ndryshimin e thellë që duan shqiptarët.”- përfundoi lideri i opozitës.

Të fundit