Flash News

KRYESORE

Basha nga selia blu: Shqipëria nuk mund të ketë dy standarde; Rama realizoi puç Kushtetues

Basha nga selia blu: Shqipëria nuk mund të ketë dy standarde;

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi sërish sot kryeministrin Edi Rama se me votimin e djeshëm për kryeprokuroren e përkohshme, ka realizuar një puç Kushtetutes. Basha theksoi se Rama provoi se është në rrugën anti-reformë dhe se kjo do të ketë pasoja për demokracinë në vend.

Sa i përket kritikave nga Ambasada e SHBA-së dhe e BE-së, Basha u kujtoi ambasadorëve se Shqipëria nuk mund të ketë dy standarde, të ndryshme nga vendet që ata përfaqësojnë. Në SHBA dhe BE qeveritë do të ishin rrëzuar për shumë më pak dhe jo kur ministri i Brendshëm faktohet si koka e trafikut të drogës, tha kreu i opozitës.

Lidhur me protestat, Basha i konsideroi të duhura dhe të nevojshme për të mbrojtur qytetarët.

Pjesë nga deklarata:

Dje Edi Rama ka shkelur Kushtetutën në mënyrë flagrante. Dje u konsumua një puç Kushtetues. Kërkon të mbyllë dosjet e krimit të bashkëpunëtorëve më të afërt. Protesta e djeshme dhe ato që do të vijojnë janë një reagim i qytetarëve ndaj pucit Kushtetues. Kur Kushtetuta dhunohet, dhunohet çdo njeri pavarësisht bindjeve politike. Protestat që do të vijojnë janë shprehje të revoltës qytetare kundër mashtrimit të Edi Ramës me reformën në drejtësi. Dje u provua katërciprisht se Edi Rama është i vendosur në rrugën e tij anti-reformë. Parlamenti nuk është ai që patë dje me një shumicë të marrë peng nga droga dhe krimi. Parlamenti janë ligjet dhe jo kartontat e deputetëve dhe aq më pak kartonat e vjedhur.

Kjo do të ketë pasoja për demokracinë në vend. Shqipëria nuk mund të ketë dy standarde. Në çdo vend të botës nëse do të zbulohej se ministri i Brendshëm është koka e trafikut, qeveria do të ishte rrëzuar. Në SHBA dhe BE qeveritë bien për shumë më pak.

Dua të theksoj edhe njëherë faktin se Kushtetuta nuk lejon asnjë hapësirë tjetër përveçse zgjedhjen e Kryeprokurorit me 3/5 të votave. 8 muaj më parë duhet të ishte zgjedhur Këshilli i Lartë i Prokurorisë. E gjithë procedura e ndjekur nga Rama nuk është thjesht anti-kushtetuese, por e sajuar aty për aty.

Është hera e parë që kryeprokurori zgjidhet me më pak se gjysmën e votave të Parlamentit. Ai votim është nul. Kryeprokurori sot është Edi Rama, arsyeja është mbrojtja e vetvetes.

Nuk ka njeri në Shqipëri dhe jashtë vendit që nuk e di se Edi Rama dhunoi Kushtetutën, zgjodhi një kryeprokuror në kundërshtim me ligjin dhe përdori gardën kundër opozitës.

Vendimi i opozitës për të nisur një valë protestash në javët e para të janarit, është një vendim i drejtë dhe i duhur.

Të fundit