Flash News

KRYESORE

Basha “paqe” me Ramën: Po adopton propozimet tona për koronavirusin

Basha “paqe” me Ramën: Po adopton propozimet tona për

Në një lidhje direkte për emisionin “Open” në Top Channel, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh se 50% e popullsisë ndodhet në kushte jashtëzakonisht të vështira. Ai tha se shqiptarët po bëjnë një sakrificë shumë të madhe në këto ditë të karantinës.

“Mbi 50 përqind e popullsisë ka kushte jashtëzakonisht të vështira edhe pa u përballur me këtë epidemi dhe impenjimet dhe kufizimet e tjera që ajo mbivendos mbi gjendjen aktuale ekonomike dhe sociale. Kështu që e them nga zemra që shqiptarët po bëjnë një sakrificë të madhe. Në veçanti një sakrificë të madhe po bëjnë më shumë se gjysma e popullsisë që ndodhet në kushte shumë të vështira ekonomike. Prandaj, thirrja ime është që të sakrifikojmë të gjithë. Nuk mund t’i kërkohet sakrifica vetëm qytetarëve, në veçanti atyre në nevojë, pa patur një plan mbështetës e në veçanti për ata në nevojë”, tha Basha.

Duke folur për për planin ekonomik për të përballuar situatën nga koronavirusi, Basha vlerësoi faktin që qeveria, sipas tij, po adopton disa nga propozimet e Partisë Demokratike.

“Në këtë kuadër mund të shikojmë dhe anën tjetër të medaljes, që gjatë kësaj jave qeveria dhe Banka e Shqipërisë, kanë adoptuar gjatë këtyre ditëve një pjesë të mirë të propozimeve tona, ndonëse në momente të caktuara, duke përfshirë edhe mbrëmjen e sotme, u duk se i kanë sulmuar ato. P.sh sot, duket se kryeministri ka pranuar një pikë të rëndësishme të propozimit tim të djeshëm, që është krijimi i mundësive fiananciare për të paguar të gjithë ata punonjës të cilët në rast nevoje kur biznesi është në pamundësi financiare nuk mund të marrin rrogën. Pra, është pika e dytë e propozimit të djeshëm. Në rast nevoje kur biznesi shfaq pamundesi financiare, te paguhen nga buxheti i shtetit pagat e punonjësve  për një periudhë të paktën dy mujore”, tha Basha.

Basha nuk i kritikoi masat drastike të qeverisë, duke u shprehur se nuk është dakord vetëm kur ka paqartësi. Ai tha se “le ta shohim gotën gjysëm plot”.

“Koha kur i kanë marrë disa vendime të rëndësishme nuk ka qenë koha e duhur. Kemi më shumë se një muaj që kërkojmë marrjen e shumë masave, por rëndësi ka të merren. Dhe t’i paraprihet krizës. Kjo ka qenë thirrja ime prej fillimit. Kjo është një krizë që duhet t’i dalim para, jo ta ndjekim pas. Lulzim Basha: Ajo që nuk jam dakord është ku ka paqartësi. Kam qenë në kontakt gjatë këtyre ditëve me shumë prej operatorëve ekonomikë dhe shoqatave që përfaqësojnë call center dhe fasonët. Ata janë të tmerruar, pasi afërsia fizike ku ata punojnë mund të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme.  Ajo që dua të them është se ne kemi nevojë për pak pozitivitet dhe këtu le ta shohim gotën gjysëm plot. Janë marrë disa nga propozimet tona. Me vonesë, por janë adoptuar”, tha Basha.

 

Të fundit