Flash News

KRYESORE

Basha i përgjigjet kërkesës Rama-Lu: Politikanët e korruptuar luftohen nga një prokuror i pa korruptuar; të ngrihet KLP-ja

Basha i përgjigjet kërkesës Rama-Lu: Politikanët e

Kreu i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur kërkesës së kryeministrit Edi Rama dhe ambasadorin amerikan, Donald Lu, për të zgjedhur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme një prokuror që nuk i është nënshtruar procesit të vetting-ut. Basha nuk lëkundet nga qëndrimi i tij kur thotë se “që Prokurori i Përgjithshëm të luftojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin duhet që ai vetë të mos jetë i korruptuar dhe i inkriminuar”, dhe kjo garantohet vetëm nëpërmjet procesit të vetting-ut.

Nuk ka reformë në drejtësi jashtë Kushtetutës, thotë Basha, duke refuzuar pazare partiake për kryeprokurorin e ri.

Lideri i opozitës thekson se mbështet krijimin e menjëhershëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe SPAK, që po mbahen peng në shkelje të Kushtetutës.

Reagimi:

Që Prokurori i Përgjithshëm të luftojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin duhet që ai vetë të mos jetë i korruptuar dhe i inkriminuar. Dhe ka vetëm një mënyrë si mund të garantohet kjo gjë: ai duhet t’i nënshtrohet procesit të vetingut, siç e parashikon reforma në drejtësi e sanksionuar në Kushtetutë.

Që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë produkt i politikës, ai nuk mund të përzgjidhet dhe emërohet nga Edi Rama dhe Sajmir Tahiri, por nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe tre të pestat e Kuvendit siç e kërkon Kushtetuta.

Reforma në drejtësi është në Kushtetutë. Nuk ka reformë në drejtësi jashtë Kushtetutës. Drejtësia arrihet pikërisht përmes zbatimit të Kushtetutës dhe jo pazareve partiake.

Ne mbeshtesim pa asnjë rezervë procesin e vetingut të çdo prokurori dhe gjyqtari. Ne kërkojmë krijimin e menjëhershëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të krijohet menjëherë SPAK dhe byroja e hetimit që do të hetojë politikanët e korruptuar dhe krimin. Ka tetë muaj që në shkelje flagrante të Kushtetutës mbahet peng krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ndaj ne bëjmë thirrje që kjo situatë të zhbllokohet menjëherë, që reforma në drejtësi të zbatohet ashtu siç e parashikon Kushtetuta.

 

Të fundit