Flash News

KRYESORE

Basha i përgjigjet Ramës për ndihmën ekonomike: Ekskursioni në Berat të ka kushtuar më shumë se ndihma ekonomike për të gjithë qarkun

Basha i përgjigjet Ramës për ndihmën ekonomike: Ekskursioni

Kreu i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur akuzave që kryeministri Edi Rama lëshoi ndaj shqiptarëve të varfër, për të cilët tha se preferojnë 50 mijë lekë të vjetra sesa të shkojnë të punojnë dhe të marrin 400 mijë lekë rrogë.

Basha theksoi se këtë gënjeshtër të trashë të Ramës nuk e beson asnjë shqiptar sepse në Berat dhe në të gjithë Shqipërinë nuk ka më vende pune.

Kryeopozitari u shpreh se vetëm ekskursioni dy ditor i qeverisë në Berat ka kushtuar më shumë se shuma e ndihmës ekonomike për të gjithë qarkun.

“Ka përsëritur gënjeshtrën e trashë se personat në nevojë ekonomike preferojnë 50 mijë lekë të ndihmës ekonomike sesa punë me 300, 350, 400 mijë lekë. A ka shqiptar që e beson, njeri të medias dhe të papunë që e beson këtë gënjeshtër të trashë të Edi Ramës? Sigurisht që askush nuk e beson. Pse e bën këtë gënjeshtër? Për t’i shpëtuar një fakti të dhimbshëm dhe një përgjegjësie. E para nuk ka vende pune, ekonomia është në krizë, politika e taksave të larta, fryma armiqësore ndaj biznesit po shkatërrojnë vendet e punës. Nuk ka vende punë ne Berat ku ndodhet sot Edi Rama. Vendet e punës po mbyllen. Ka bërë ekskursion në Berat dhe nuk ka gjetur kohë të shkojë në një familje që i është hequr ndihma dhe t’i shikojë në sy dhe të kuptojë se ndihma i është hequr në mënyrë abuzive. Unë kam shkuar dhe do shkoj t’i shoh. Kryefamiljare që mezi blen një thes mielli, 25 mijë lekë të vjetra, sepse pjesën tjetër ia marrin dritat. Kjo është gjendja ekstreme në familjet në nevojë. Sigurisht që ka abuzues. Këta abuzues i ka futur në listë Edi Rama. Detyra e kryeministrit nuk është të tallet me këto familje, t’i përçmojë. Detyra e kryeministrit është t’i japë ndihmën sipas ligjit. Këto fonde ekzistojnë. Nuk është se nuk ka fonde, por shkojnë për qeveritarët. Bëni një llogari, në Berat këto 48 orë, shpura qeveritare ka shpenzuar mjaftueshëm para për të paguar ndihmën ekonomike për të gjitha familjet e hequra në mënyrë abuzive në qarkun e Beratit”, tha Basha.

Kreu i demokratëve kërkoi revolucion nga qytetarët për të larguar Edi Ramën nga pushteti.

Të fundit