Flash News

KRYESORE

Basha përkujton Rugovën: Ishte fanari ku shqiptarët shihnin dritën e shpresës

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka përkujtuar presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në 14 vjetorin e ndarjes nga jeta. Sipas tij, nderimi më i madh që mund t’i bëjmë kujtimit të tij, është ngritja e shteteve të forta të Shqipërisë dhe Kosovës, me demokraci të vërtetë, liri dhe dinjitet njerëzor

“14 vjet më parë kaloi në amëshim Ibrahim Rugova, gjeniu i politikës shqiptare dhe vazhduesi më i denjë i aksionit për zgjim kombëtar të Rilindjes Kombëtare. Rugova ishte si një fanar ku shqiptarët, andej e këndej Drinit, shihnin dritën e shpresës, dritën e çlirimit, edhe atëherë kur pak vend kishte për shpresë e pak optimistë besonin tek çlirimi i Kosovës nga zgjedha e fundit kolonialiste në Evropë.

E sotmja nuk është një datë dëshpërimi, as një përkujtimore, është një fat, është një këmbanë për secilin prej nesh për ta ndihmuar vetveten t’i rikthehemi veprës dhe trashëgimisë së Ibrahim Rugovës. Si një qëndrestar i pashoq në përpjekjen për demokraci, ai na mëson se si duhet t’u qëndrojmë kauzave të drejta, t’i mëkojmë ato dhe të mos i braktisim.”, shkroi Basha në Facebook.

Sipas liderit të opozitës së bashkuar, Rugova foli për demokracinë atëherë kur shqiptarët në Shqipëri e në Kosovë kishin aq shumë nevojë për të.

“Laureati i çmimit “Saharov”, “Gandi i Ballkanit”, themeluesi i të parës parti antikomuniste në botën shqiptare, luftëtari i palodhur për kthimin e shqiptarëve atje ku e kanë vendin dhe ku e meritojnë, në Perëndim, u shndërrua në legjendë që në të gjallë të tij.

Sot nderimi më i madh që mund t’i bëjmë kujtimit të Ibrahim Rugovës është ngritja e shteteve të forta të Shqipërisë dhe Kosovës, me demokraci të vërtetë, liri dhe dinnjitet njerëzor dhe me një dashuri të pashoqe për shkollën dhe për gjuhën shqipe.

Veç kjo përpjekje mund të përligjë tek ne krenarinë se ishim bashkëkohës të Ibrahim Rugovës dhe pasardhës të politikës që ai themeloi në botën shqiptare.”, ishte mesazhi i Bashës.

Të fundit