Flash News

KRYESORE

Basha takon Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve, Mustafaj: Shpresoj të dal i pa turpëruar; Ruli: Ftesa ndaj meje, hapje e PD

Basha takon Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve, Mustafaj:

Lidershipi i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar mbledhjen e parë me pesë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve në PD, konkretisht Bujar Nishani, Besnik Mustafajn, Genc Rulin, Mark Markun dhe Enriketa Papa.

Takimi mes tyre dhe dy ndihmësit në procesin e vlerësimit të propozimeve të ardhura nga anëtarësia, vjen një ditë pas miratimit të komisionit nga Kryesia dhe Këshilli Kombëtar i PD.

Pas mbledhjes, Besnik Mustafaj foli për herë të parë nga pozicioni i anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve në PD, duke e cilësuar një sfidë personale pjesëmarrjen e tij në këtë strukturë të konsideruar risi.

Ai tha se është një nga detyrat më të vështira dhe komplekse që ka marrë ndonjëherë përsipër.

“Ka prurje të pasur, pra propozimet e demokratëve në vend kanë qenë serioze. Jemi të angazhuar për të zgjedhim vlerat më të mira të këtij kontingjenti që përbëjnë burime njerëzore të mëdha jo vetëm për PD.

Shpresoj të dal në fund të këtij procesi i paturpëruar pasi është detyra më e vështirë dhe delikate e komplekse që kam marrë ndonjëherë përsipër”, u shpreh Besnik Mustafaj.

Nga ana tjetër, Genc Ruli,  një nga kritikët e lidershipit të PD vitet e fundit ka folur po ashtu për mediat pas takimit me kreun e PD.

Sipas Rulit, ky është një komision që vepron mbi elementët e besimit, ndërsa ftesa ndaj tij si një nga kritikët e PD të drejtuar nga Basha tregon hapje të partisë më të madhe opozitare në vend.

“Është një komision që vepron mbi elementët e besimit që duhet të ketë gjithë anëtarësia dhe besimi reciprok ndaj njëri tjetrit. Janë gjenerata të ndryshme që nga themeluesit deri tek nivelet më të larta dhe prurje më të reja. Pavarësisht ndryshimeve, e përbashkët është cilësia për të qenë gjákftohtë gjatë eksperiencës, por më e rëndësishmja, aftësia për të ruajtur mendimin e tyre”, tha Ruli.

I pyetur se nëse ky proces mund të rikthejë zërat kritikë të PD, ai tha se “mendoj se ky proces është deklaruar nga lidershipi i PD, është politikë e hapjes. Unë vetë 3 vjet më parë kam patur qëndrime kritike ndaj Bashës pasi i gjykoja ndryshe si do ishin zhvilluar proceset, por kjo ftesë që më bënë mua është shenjë e pjekurisë dhe mendje hapjes së PD”.

Keni ndryshuar ju apo PD? U pyet sërish Ruli, i cili tha se “Unë kam qenë disa herë kritik ndaj lidershipit të PD, vlerësimi ynë kur ka qenë i ndryshëm e kam thënë dhe i kam qëndruar mendimit tim”.

Lexo edhe: Takimi me Komisionin e Vlerësimit, Basha: Kjo do të jetë epoka e re e demokratizimit të partive

Komisionit i vlerësimit deri në 15 shtator do duhet të hartojë listën me emrat e kandidatëve te cilët plotësojnë kriteret për t’ia dërguar sërish për votim anëtarësisë, e cila ka te drejtë te përzgjedhë 80 përqind të kandidatëve për deputet dhe kryetar bashkie. Faza e fundit është vendimmarrja finale nga kryesia dhe këshillit kombëtar.

Në fazën e parë të propozimeve, proces i cili zgjati 6 javë u identifikua shumë kandidatë mes tyre edhe “xhaketa të vjetra” si Jozefina Topalli ne Shkodër apo Ridvan Bode në Devoll.

Të fundit