Flash News

KRYESORE

Basha: Tani, fokusi ynë është si t’i ndihmojmë këta njerëz. Nuk bëhet politikë

Pas inspektimit të Shkozetit dhe disa zona të tjera të Durrësit, Basha ka thënë për mediat se gjendja është shumë e rëndë. Sipas Bashës ka një mungesë totale të organizimit për strehim.

Sa i takon ftesës që më herët sot paradite ka bërë Rama për Bashën, kreu i opozitës tha:

E gjithë energjia jonë, ajo që po bëjmë dhe do të vazhdojmë të bëjmë është të jemi afër njerëzve dhe t’i ndihmojmë sa të jetë e mundur. Jemi gjendur pranë komuniteteve, njerëzve në nevojë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ky është prioriteti ynë tani. Tani nuk është koha për politikë. Njerëzit janë në nevojë ekstreme, njerëzit kanë nevojë për strehë, njerëzit kanë nevojë për ushqim, shumë kanë nevojë për vëmendje mjekësore, që nuk po e marrin, të tjerë kanë nevojë për siguri, se i kanë shpëtuar një fatkeqësie dhe duhet të bëhemi gati që të përballojmë çdo gjë tjetër, qoftë me kaq! Pra, tani nuk është koha as për politikë, as për propagandë. Gjëja e vetme me të cilën po merremi ne, është të jemi afër njerëzve dhe kjo është ajo që duhet të bëjë çdokush tjetër.

E ndërsa për menaxhimin e situatës nga qeveria, Basha u shpreh duke thënë se këto nuk kanë qenë ditë për analiza e përgjegjësi dhe nuk behët politikë. Një ditë do merremi dhe me atë:

"Këto ditë, që kanë qenë ditë të tmerrshme për shqiptarët dhe sot Durrësi ka përcjellë shumë viktima, duke përfshirë dhe 8 viktimat e familjes Lala, nuk kanë qenë ditë për t’u marrë me analizën dhe përgjegjësitë. Natyrisht, ka një ditë, ka një kohë ku do merremi edhe me përgjegjësitë dhe me analizën se çfarë u bë, çfarë mund të bëhej më mirë dhe çfarë duhet bërë më mirë. Tani, fokusi ynë është si t’i ndihmojmë këta njerëz. Nuk bëhet politikë. A mund të bëhet politikë me këta njerëz?! Këta janë pa strehë sonte, janë pa ushqim, fëmijët i kanë rrugëve, vetë janë rrugëve. Prandaj, prioriteti im, prioriteti i gjithë opozitës është të bëjmë ç’është e mundur për t’i ndihmuar. Ky duhet të jetë prioriteti i çdokujt. Jo protagonizmi, jo propaganda dhe as manovrat politike."

Të fundit