Flash News

KRYESORE

Basha thirrje Ramës: Shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore, mbyllja e bizneseve me prani të madhe shpëton jetë!

Basha thirrje Ramës: Shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore,

Kreu opozitar Lulzim Basha, duke shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave nga koronavirusi në Shqipëri i ka bërë thirrje qeverisë që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

Basha ka sugjeruar që qeveria të mbyllë bizneset me prani të madhe të njerëzve si call centerat, apo bizneset fasone.

Po ashtu kryedemokrati nënvizoi nevojën e një plani të detajuar ekonomik për ata njerëz që do të qëndrojnë në shtëpi.

Dua t’u ofroj ngushëllimet e mia familjeve të viktimave dhe dua të uroj nga zemra  të gjithë ata që ndodhen në kushtet e infektimit dhe të shtrimit spitalor, shërim sa më të shpejtë. 

Nga ana tjetër, dua t’i bëj sot thirrje qeverisë të shpallë gjendjen  e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë . Dua, po kështu, t’I bëj thirrje qeverisë të urdhërojë menjëherë mbylljen e të gjithë bizneseve me dendësi të madhe punonjësish në ambjente të mbyllura, siç janë fasoneritë, call-centers apo të tjera fabrika prodhimi  ku afërsia fizike e punonjësve përbën një rrezik të pashmangshëm për transmetimin e virusit dhe për kthimin e tyre në bartës dhe infektues përmes virozës.

Por, nga ana tjetër, jam tërësisht i vetëdijshëm se kjo sakrificë e madhe që ju kërkohet ju ka nevojë për një mbështetje të madhe. Ndaj dua të përsëris përultësisht thirrjen time ndaj qeverisë:

Të mos vonojë detajimin e paketës së ndihmës që ka shpallur dhe të bëjë gati një paketë tjetër, sepse kjo është qartësisht e pamjaftueshme. Të  gjithë ata që do të detyrohen të qëndrojnë në shtëpi për shkak të mbylljes së biznesit apo për shkak të mbylljes së bizneseve, ku janë punëmarrës, duhet të marrin pagën e mjaftueshme për të vazhduar minimumin jetik në shtëpitë e tyre. Dhe kjo është një përgjegjësi shtetërore. Ndaj thirrja ime është që menjëherë të ndërpritet çdo shpenzim tjetër, të ndërpritet çdo transferim tjetër nga thesari dhe të gjitha paratë e taksapaguesve shqiptarë të shkojnë për shëndetin e shqiptarëve, të shkojnë për nevojat akute ekonomike me të cilat përballet një numër i madhe njerëzish i cili mund dhe do të vijë në rritje”, tha Basha.

Të fundit