Flash News

KRYESORE

Bashkëqeverisja e Ramës, enverizëm i llojit “ç’do populli bën Partia, ç’thotë Partia bën populli”

Bashkëqeverisja e Ramës, enverizëm i llojit

Naum Mara

Diktaturës në Shqipëri i duheshin herë herë  parrulla, të cilat vërtet nuk i besonte kush, por ishin të nevojshme për konferencat e seminaret, për të mbushur muret e sallave dhe fasadat e qyteteve.

“Ç’do populli bën Partia, ç’thotë Partia bën populli” ka qënë një parullë e hershme. Ndoshta e kopjuar nga rusët apo kinezët, por gjithsesi një parullë domethënëse, gjysëm e vërtetë dhe gjysëm e gënjeshtërt.

Pjesa e gënjeshtërt nuk ishte shumë e rrezikshme, pikërisht se ishte e rreme, por tjetra, e vërteta, të thyente në mes.

Populli bënte ç’i thoshte Partia dhe kjo ishte e vërtetë si “një e një, që bëjnë dy”. Kishte edhe ndonjë individ nga gjiri i popullit, që nuk bënte si thoshte Partia, por ai ose do ishte sabotator, ose oportunist, ose revizionist, ose agjent dhe për çdonjërën nga këto shkoje në burg. (“Shko ke burgu!” thoshte një gjykatës i rreptë, kur donte të trembte fëmijët e tij.)

Kishte raste, që futeshe në burg edhe po të bëje si thoshte Partia, por këto ishin raste shumë të komplikuara dhe, as sot e kësaj dite, nuk e kam kuptuar, se pse njerëz të caktuar i futnin në burg, pikërisht nga që bënin atë që ju kishte thënë Partia.

Partia i kishte shpjeguar popullit edhe se ç’duhej të donte. (Në anët tona një lloj shpjegimi të tillë i thonë “ja kishte bërë lopka”.)

Kështu që populli donte pikërisht atë, që duhej të donte, se kështu ja kishte shpjeguar Partia dhe Partia bënte atë, që donte populli, me një fjalë atë që donte Partia, por askush nuk mund ta vinte këtë në dyshim dhe të thoshte se “Partia bën si i do qejfi!”, se “Partia bënte si deshte Populli.”

Kjo parullë, me gjithë udhëzimet përkatëse, duhet të kishte humbur në ndonjë zyrë “qorre” të Komitetit të Partisë së Tiranës, deri sa u gjet vjet nga bashkëpuntorët më të ngushtë të Ramës, i cili duke u bazuar mbi të, shpiku teorinë e “bashkëqeverisjes me popullin”. Kishte funksionuar për disa dekada mbi kurrizin e këtij populli dhe kjo është garanci, që mund të funksionojë edhe të paktën një legjislaturë. Eshtë pak a shumë: “Ç’do populli bën Qeveria, ato që bën Qeveria i ha populli!”

Për kryeministrin kjo është forma më e lartë e Demokracisë (kështu theshte edhe Merhumi për Diktaturën e Proletariatit), e cila vërtet nuk zëvendëson institucionet, por i bën ato më demokratike. Mjafton të kesh një telefon, kompjuter, apo iPad dhe bëhesh pjesë e qeverisjes. Kërkon, sugjeron, kritikon, korrigjon, ato, që ka vendosur në platformën e qeverisjes kryeministri dhe je bashkëqeverisës.

Askujt në botë nuk i kishte shkuar ndërmend kjo gjë edhe pse ka vende me tre shekuj demokraci. Por, për të mos u treguar nihilistë ndaj ideve të Ramës, duhet të pranojmë, që interneti në botë është relativisht i ri dhe telefonat kanë vetëm një shekull e ca që janë në përdorim.

Aq rëndësi i pati kushtuar bashkëqeverisjes Rama, sa për të realizuar sa më mirë këtë ide, në krye kishte vënë krahun e tij të djathtë Saimir Tahirin, deri sa ky i fundit, pas komplotit të Habilajve, akuzohet pa të drejtë për trafikim droge. (Eshtë vërtet absurde! Një njeri, që do sillte popullin aq pranë pushtetit, do merrej me drogë?! Kjo është njëlloj si të thuash, që Enver Hoxha nuk i lexonte letrat e popullit.)

Megjithë këtë pengesë, kryeministri po vazhdon ta verë në jetë Bashkëqeverisjen.

Deri tani populli ka kërkuar pikërisht ato, që po bën Rama, si psh PPP-të, kullat në Tiranë, impiantet e djegies të plehrave dhe rritjen e taksave. Ka një sintoni të paparë, të ideve të Ramës me dëshirat e popullit, sa kryeministri mund të shkojë edhe për javë të tëra me pushime dhe veç të lerë të hapur faqen e Bashkëqeverisjes në Internet. E provoi këtë për dhjetë ditë në fund të dhjetorit dhe punët shkuan fjollë.

Ka vetëm një problem të vogël, që e kanë ndjerë gjithë udhëheqësit, që qeverisnin “krah për krah me popullin”. Populli shpesh nuk është mirënjohës.

Ja edhe këtu te ne, në hapat e para të bashkëqeverisjes, populli do të protestojë!

Rama ka të drejtë të thotë:

“Po ç’ke o kodosh popull, se bashkë po qeverisim, bashkë po punojmë, për ju po punojmë!”

 

Të fundit