Flash News

KRYESORE

Bashkia e Tiranës 100 milionë lekë për Thumanën, Veliaj: Tirana ka ngritur flamurin e solidaritetit

Bashkia e Tiranës 100 milionë lekë për Thumanën,

Bashkia e Tiranës është solidarizuar jo vetëm me fjalë por edhe ka ndërmarrë edhe hapa konkret për ti ardhur në ndihmë zonave të prekura më shumë nga tërmeti që goditi sot Shqipërinë. Përveç ndihmës me mjete dhe forca në njerëz të dërguara në zonat e prekura në operacionet e shpëtimit në terren, Këshilli Bashkiak në mbledhjen e sotme miratoi një fond ndihme financiare prej 100 milionë lekësh për Bashkinë e Krujës dhe në mënyrë të posaçme për Thumanën.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës në fjalën e tij theksoi se Tirana ngriti sot flamurin e solidaritetit me të gjithë ata që në këto momente janë në vështirësi nga tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të sotëm.

Sot në fakt kishim planifikuar një ditë tjetër, të festonim ngritjen e flamurit në Tiranë, është 107 vjetori kur Tirana ngriti flamurin. Mesa duket fati, historia na thirri të ngrinim një tjetër flamur sot. Patjetër atë shqiptar, por atë shqiptar me solidaritet, me përkrahje, mirësi, dashuri, në një situatë paniku e fatkeqësie. Do të doja që t’ju bëja një thirrje ta mbajmë të gjithë lart këtë lloj flamuri shqiptar, të solidaritetit. Ndaj sot akordojmë menjëherë një ndihmë prej 100 milionë lekësh për Bashkinë e Krujës, aty ku ndodhet Thumana. Është zona më e prekur, ndërkohë që me Valbonën, kryetaren e bashkisë së Durrësit do duhet të komunikoj në ditët në vijim, që të shohë edhe ajo pasi të kalojë emergjenca, se çfarë janë nevojat, edhe të bëjmë prapë një ndihmë të dytë për Durrësin. Por për Thumanën, duke qenë se është një vend i vogël dhe emergjenca e madhe, dhe një bashki me pak të ardhura, dua që ta ofrojmë këtë solidaritet, teksa me rimëkëmbjen e vet, siç i ka hije çdo shqiptari, do të duhet të mendojë edhe për fqinjët, edhe për fqinjët tanë të Thumanës dua që të akordojmë këtë ndihmë të emergjencës” - tha Veliaj.

Ai theksoi se skuadra e emergjencës dërguar në Durrës kontribuojë në mënyrë direkte në shpëtimin e jetëve që gjendeshin nën rrënoja.

“Besoj që të gjithë biem dakord që nuk kemi ç’i bëjmë tërmetit, fatkeqësive të tilla, por kemi ç’i bëjmë mënyrës se si reagojmë. Teksa përpjekja vazhdon kam një mirënjohje të veçantë për të gjithë kolegët e Bashkisë së Tiranës që një pjesë janë atashuar ekipeve në Durrës dhe Thumanë, pasi mbaruan me emergjencat këtu që në orët e para të mëngjesit nga ora 04:00 deri në 08:00, pastaj u kam dhënë leje që të vazhdojnë të kontribuojnë aty. Shoh disa nga anëtarët e Këshilli Bashkiak që kanë çuar mjetet e tyre private nga Tirana për të asistuar. Sot besoj që heronjtë e vërtetë janë çdo ushtar, polic, fadromist, mjek, zjarrfikës, staf i Emegjencave Civile, kushdo që ka dalë mbi detyrën e vet. Nuk ka parë orën apo familjen e vet, por në atë rrëmujë sistemuan punën në Tiranë dhe iu bashkuan forcave në Durrës e Thumanë”, u shpreh Veliaj.

Të fundit