Flash News

KRYESORE

Bashkimi i dy Gjermanive, Albin Kurti: Edhe ne po na thonë që është e pamundur, por bashkimi Shqipëri-Kosovë nuk është larg

Bashkimi i dy Gjermanive, Albin Kurti: Edhe ne po na thonë që

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka uruar sot gjermanët për atë që njihet si “Dita e Bashkimit” të dy Gjermanive. Kurti ka shfrytëzuar këtë ditë për të përsëritur edhe njëherë tjetër qëndrimin për nevojën e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet të vetëm.

Ish-kryetari i ‘VV’-së shprehet se gjermanëve u tha vite më parë se bashkimi ishte i pamundur dhe se shtet fqinje me fuqitë botërore ishin kundër kësaj ideje, megjithatë, liderët vendas bënë veprimin më të mirë për popullin e tyre dhe për krejt Evropën duke shkuar drejt bashkimit.

E njëjta situatë sipas Kurtit po ndodh me shqiptarët, gjithsesi ai thekson se dita e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën nuk është larg.

Reagimi:

Data 3 tetor festohet përvit në Gjermani si “Dita e Bashkimit”, dita kur dy shtetet gjermane të krijuara pas rrethanave të Luftës së Dytë Botërore, më në fund u bashkuan. Jo për të përsëritur historinë, por për të çelur një faqe të re, me Gjermaninë e bashkuar, demokratike e të hapur, motor i zhvillimit ekonomik dhe garant i vlerave politike e humane të Bashkimit Evropian.

Dy Gjermanitë u bashkuan edhe pse fqinjët dhe fuqitë e mëdha evropiane ishin kundër këtij bashkimi. Kundër ishin Polonia e Franca, Italia e Britania, ku tepër aktive kundër procesit të bashkimit ka qenë ish-kryeministrja Thatcher. Fuqitë e mëdha ishin kundër për arsye kryesisht egoiste, sipas parimit konservator të ruajtjes së balancës së fuqive. Por historia është progresive, dhe balancat e padrejta gjithnjë prishen. Andaj gjermanët e realizuan ëndrrën e tyre duke u bazuar tek vullneti i vet, e tek mbështetja e SHBA-ve, këtij partneri të jashtëzakonshëm të vetëvendosjes së popujve. Bashkimin e Gjermanive e kanë mbështetur asokohe shumë kombe të ndarë, si psh. irlandezët, apo edhe ne, shqiptarët.

Sot neve na thuhet se bashkimi ynë është i pamundshëm e i paleverdisshëm, se fqinjët janë kundër e se fuqitë e mëdha nuk duan. Por le të kujtojmë se edhe Gjermanitë, nuk u bashkuan me një hap të vetëm. Fillimisht ato nënshkruan traktatin për unifikimin e politikave monetare, ekonomike e sociale, pastaj një sërë marrëveshjesh të tjera, e në fund bënë veprimin më të mirë për popullin e tyre e për krejt Evropën, u bashkuan.

Ne sot u urojmë gjithë gjermanëve dhe Gjermanisë Ditën e Bashkimit, dhe i mbajmë si shembull për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ky bashkim do të ndodhë në aleancë me SHBA-të dhe Gjermaninë, atëherë kur Kosova e Shqipëria të qeverisen nga politikanë të mençur, të ditur, të ndershëm e kombëtarë. Dhe ajo ditë, siç na tregoi 11 qershori, nuk është shumë larg.

Bashkimi i Gjermanive jo vetëm që kontribuoi por ishte vendimtar për bashkimin e Evropës. Edhe bashkimi ynë sigurisht që do t’i kontribuojë Bashkimit Evropian.

Të fundit